Egnatia përballë provës delikate “Bylis”/ Kampionët fitojnë vetëm kur shënojnë në pjesën e parë
Egnatia, kampionia në fuqi e Shqipërisë, po përjeton një sezon shumë më sfidues se ai i kaluar, duke mos pasur më të njëjtën qetësi dhe efikasitet për të mbyllur ndeshjet pa shumë sforco. Në ndryshim nga edicioni i shkuar, ku rrogozhinasit arrinin të dominonin dhe të përmbysnin situata të vështira, këtë herë skuadra duket se varet më shumë se kurrë nga mënyra se si e nis takimin.

Gjithsesi, për aq kohë sa skuadra po merr pikët dhe është ende në rangun e ekipeve të kreut dhe brenda “Final 4”, në klub nuk kanë ndërmend të shqetësohen. Mjafton që këtë fundjavë të marrin tri pikët me Bylisin, edhe pse nuk do të jetë një sipërmarrje e lehtë.
Përballja me Bylisin vjen në një moment delikat, ku tri pikët janë detyrim për të qëndruar pranë zonës së Final 4 dhe për të mos humbur terren ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë. Në këtë sfidë, kampionët kërkojnë t’i rikthehen ADN-së së tyre, lojës intensive, presionit të lartë dhe golit të shpejtë, që ishte arma kryesore sezonin e kaluar. Përndryshe, rruga drejt fitoreve do të jetë përsëri e mundimshme.
SYNIMI – Statistikat e këtij sezoni tregojnë qartë se Egnatia fiton vetëm kur arrin të mbyllë pjesën e parë në avantazh. Sa herë që rrogozhinasit nuk kanë shënuar në 45 minutat e para, ndeshja është komplikur deri në fund, duke përfunduar ose në barazim, ose në humbje.
Ky është një sinjal i fortë për stafin teknik, i cili e ka të qartë se suksesi i skuadrës varet nga presioni dhe intensiteti që vendosin që në minutat e para të sfidës. Trajneri Tetova e di mirë këtë tendencë dhe po punon për ta ndryshuar, sidomos tani që Egnatia përgatitet për përballjen me Bylisin.
Një kundërshtar që nuk të fal, një skuadër e organizuar dhe e fortë fizikisht, që të detyron të jesh agresiv dhe i kujdesshëm nga fillimi deri në fund. Ka vetëm një rast kur kampionët kanë arritur të fitojnë edhe pse nuk kanë shënuar në pjesën e parë dhe ai ka qenë pikërisht kundër Bylisit. Në atë sfidë, pjesa e parë u mbyll 0-0 dhe vetëm në fraksionin e dytë erdhi goli i vetëm i Flamur Ruçit. Madje në atë ndeshje, Edison Ndreca humbi një penallti në pjesën e parë, duke humbur një mundësi të artë që ndeshja të shkonte drejt një fitoreje më të qetë.
Këto detaje e bëjnë edhe më të qartë se Egnatia ka nevojë të vendosë ritmin e lojës që në start. Tetova kërkon presion, agresivitet dhe efikasitet para porte, sepse një pjesë e parë pa gola i shton vështirësitë dhe e zhvendos ndeshjen në terrene të paparashikueshme. Në Rrogozhinë e dinë mirë: nëse Egnatia nuk mbyll pjesën e parë në avantazh, misioni bëhet shumë më i vështirë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













