Egnatia pa nënvlerësim në Vlorë, objektivi janë tri pikët. Ja plani anti-Flamurtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2026 | 9:59

Egnatia pa nënvlerësim në Vlorë, objektivi janë tri pikët. Ja plani anti-Flamurtar

Egnatia i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të zhvillohet ditën e sotme në Vlorë përballë Flamurtarit vendas.

egnatia

Edhe pse sfida luhet me ekipin e fundit në renditje, në kampin rrogozhinas pritet që takimi të vlerësohet maksimalisht dhe pa asnjë nënvlerësim. Së pari, ata kanë një kujtesë të hidhur nga faza e dytë në shtëpi, ku ishin pikërisht vlonjatët që i mposhtën. Së dyti, është ende e freskët humbja me Tiranën pak ditë më parë dhe tek bardhejeshilët nuk duan surpriza të tjera të pakëndshme që mund të komplikojnë objektivat e sezonit.

Në tërësi, situata në ekip duket e qetë dhe pozitive, pasi përkundër gjithçkaje Egnatia mban ende vendin e dytë në renditje, vetëm tri pikë larg Vllaznisë kryesuese. Mbi të gjitha, nuk vihet në rrezik pjesëmarrja në “Final 4”, një objektiv i rëndësishëm për klubin dhe stafin teknik, por kjo nuk do të thotë se ndeshja e sotme do të trajtohet me lehtësi.

PLANI ANTI FLAMURTAR – Mund të thuhet se në Rrogozhinë kanë nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e bëra gjatë rrugës. Humbjet dhe rezultatet negative ndaj ekipeve që nuk luajnë për titull kampion kanë lënë shije të hidhur dhe trajneri Edlir Tetova nuk dëshiron që ato të përsëriten më. Për këtë arsye, gjatë javës ai ka përgatitur një plan të detajuar anti-Flamurtar, me synimin e qartë për të dalë me tri pikë nga Vlora. Strategjia është e qartë: Egnatia duhet të kalojë në avantazh sa më shpejt dhe, nëse është e mundur, pjesa e parë të mbyllet në epërsi. Në të kundërt, situata mund të komplikohet edhe më shumë, sidomos duke parë motivimin e kundërshtarit.

Kjo qasje mbështetet edhe në statistika: në tetë rastet kur kampionët kanë fituar pjesën e parë, kanë arritur ta ruajnë avantazhin dhe të marrin tri pikët në fund të ndeshjes. Vetëm në një rast kanë fituar pjesën e parë dhe më pas janë ndalur në barazim. Praktikisht, kur Egnatia fiton në pjesën e parë, zakonisht arrin të dalë me tri pikë nga fusha. Pikërisht këtë gjë Tetova u ka kërkuar lojtarëve gjatë stërvitjeve, që të mos i lënë gjërat për në pjesën e dytë dhe të tregojnë vendosmëri që në minutat e para. Gjithsesi, mbetet për t’u parë sesa do të realizohet ky plan në praktikë, pasi edhe kundërshtari, nga ana tjetër, ka nevojë jetike për pikë për t’iu larguar fundit të renditjes dhe për të mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.EG

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL