Egnatia, 15 lojtarë vlejnë më shumë se 1 vit më parë. Vetëm tre futbollistë janë në rënie

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2025 | 17:06

Egnatia, 15 lojtarë vlejnë më shumë se 1 vit më parë. Vetëm tre futbollistë janë në rënie

Një skuadër që fiton, rrit edhe vlerat e lojtarëve që ka në dispozicion. Në fund të fundit, janë ata aktorët kryesorë që zbresin në fushë dhe i mundësojnë ekipit marrjen e trofeve.egnatiaNë të njëjtën situatë duket se është edhe ekipi i Egnatias, me klubin dhe futbollistët që duket se në mënyrë indirekte kanë ndihmuar njëri-tjetrin për t’u vlerësuar më shumë pas arritjeve të viteve të fundit.

“Panorama Sport” i është referuar faqes ndërkombëtare dhe të njohur për vlerat e lojtarëve në treg, “Transfermarkt”, për t’i bërë një vëzhgim ecurisë që kanë pasur lojtarët e Egnatias, nga ardhja e tyre për herë të parë në Rrogozhinë dhe deri në mbylljen e këtij edicioni. Mbi 90% e lojtarëve kanë rritur vlerat e tyre, por ka supriza edhe për ato që i kanë ulur, më së shumti edhe prej moshës. Sakaq, ka vetëm një lojtar që nuk ka “përfituar” nga prezenca e tij në kampin e kampionëve.

VLERAT NË RRITJE – Nuk janë pak, por bëhet fjalë për plot 15 lojtarë që kanë rritur vlerën e tyre në treg që kur zbarkuan për herë të parë në Rrogozhinë. Nga ata që kanë luajtur prej disa vitesh dhe tek ata të afruar së fundmi, tani kushtojnë më shumë në treg. Për t’i marrë me radhë, Arbenit Xhemajli, Arbin Zejnullai dhe Zamig Alijev, janë tre lojtarët që janë rritur më shumë, me plot 250 mijë euro. Fernando Medeiros dhe Daniel Votlai tani kushtojnë 200 mijë euro më shumë, ndërsa Serxho Ujka 175. Fangaj, Kasa, Dylis dhe Lushkja kanë rritur vlerën e tyre me 150 mijë euro. Lista vijon me Dajsinanin dhe Bakajokon që kushtojnë 100 mijë euro më shumë. Me nga 50 mijë euro u rrit vlera e Jahajës dhe Ndrecës, ndërsa i fundit që mbyll listën e atyre që kanë përfituar nga Egnatia, është Eljon Sota, që tani kushton 25 mijë euro më shumë sesa në muajin janar kur iu bashkua kampionëve.

VLERAT NË ULJE – Këtu janë tani edhe kontradiktat më të mëdha, por që mund të kenë edhe një logjikë. Janë tre lojtarë që kanë pësuar ulje në vlerën e tyre, duke e krahasuar gjithnjë me periudhën kur iu bashkuan Egnatias. Kështu, Renato Malota tani kushton 75 mijë euro më pak, nga 125 mijë që ishte kur iu bashkua kampionëve. Mosha e madhe mbi supe dhe dëmtimet e shumta, kanë ndikimin e tyre në këtë ulje. Sakaq, 50 mijë euro më pak vlen edhe Saliou Guindo, i cili nuk kapi dot formën e tij maksimale këto muaj. Ajo që të habit më shumë, është vlera e Albano Aleksit, liderit të skuadrës kampione. Mesfushori para dy vitesh vlente 250 mijë euro, ndërsa tani 200, duke pësuar një ulje me 50 mijë euro. Faktori i vetëm mendohet të jetë mosha, pasi performanca e tij në fushë duket se nuk ka shumë lidhje me këtë konstatim të vlerave. Gjithsesi, në këto dy vite me rrogozhinasit, Aleksi i gëzohet fitimit të të gjithë trofeve të mundshëm me Egnatian.

VLERA KONSTANTE – Në një listë të gjatë ka vend edhe për një futbollist që nuk ka pësuar ndryshim në vlerë. Bëhet fjalë për brazilianin Leo Melo. Ai erdhi nga Elbasani në muajin janar dhe luajti disa ndeshje me rrogozhinasit, ku edhe shënoi dy gola. Ai kushton po 200 mijë euro, duke mos përfituar dhe as humbur. Gjithsesi, ai arriti të fitojë kampionatin, një triumf që vlen më shumë sesa një klasifikim vlerash në merkato.20VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL