Duro: Tirana nën presion, i mungojnë bomberat shkodranë
Të dyja skuadrat po përjetojnë një periudhë krize në këtë fillimsezoni, por Vllaznia-Tirana mbetet pa dyshim një nga ndeshjet “klasike” të kampionatit shqiptar. Por e ndikuar edhe nga pozitat aktuale në renditje dhe nga ambiciet e të dyja skuadrave, ndeshja e sotme premton rivalitet.
I këtij mendimi është edhe Klodian Duro, i cili gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport” i bën skanerin këtij derbi të Shqipërisë.
Ish-mesfushori e thotë hapur që presioni është mbi kryeqytetasit.
Luhet Vllaznia-Tirana, si e parashikon Duro këtë sfidë?
Është derbi i Shqipërisë, ose sikundër e quajnë ndryshe ndeshje “klasikja”. Janë dy ekipe që kanë bërë histori dhe kanë fituar shumë trofe. Parashikime nuk bëj dot, sidomos duke parë pozitat dhe faktin që të dyja janë edhe pa trajner fiks.
Sa i përngjan kjo sfidë “klasikes” që jemi mësuar të shohim në të shkuarën?
Jo edhe aq. Pasi, sikundër e përmenda, ekipet nuk po kalojnë një moment të mirë. Vllaznia, përtej krizës, ka marrë një barazim dhe një fitore që ia ka rritur disi moralin. Ndërsa Tirana vjen pas humbjes së derbit dhe barazimit me Flamurtarin, që solli edhe shkarkimin e trajnerit. Ka një hap pozitiv, pasi mori një fitore në Kupë, që dashur pa dashur ka motivuar ekipin.
Ndalemi pak te Tirana, çfarë nuk shkon siç duhet te ky ekip?
Jo gjithmonë gjërat ecin, futbolli kështu e ka. Me sa duket, Tirana e kishte të nevojshëm një ndryshim, pasi një ekipi që pretendon titullin nuk i lejohet një nisje e tillë e sezonit. Nuk di të them se ku çaloi. Ndonëse dua të saktësoj se Shkëlqim Muça është një trajner realisht i mirë dhe e mori drejtimin me ide të qartë për ta ngjitur në maja. Nuk kanë bërë ndeshje të këqija, por rezultatet nuk kanë ardhur.
Mos ndoshta kanë gabuar në merkato?
Unë di të them që kualitetet dhe emrat nuk i mungojnë. Por është shumë e qartë se diçka nuk ka shkuar siç duhet.
A besoni realisht te ringritja e kësaj Tirane, për këtë sezon të paktën?
Besoj se Tirana i ka të gjitha mundësitë dhe faktorët që të konkurrojë denjësisht për titullin. Shanset ekzistojnë, paçka se janë 10 pikë larg kreut.
Ka një repart që nuk funksionon siç duhet?
Mua do të më pëlqente një Tiranë sulmuese në fakt dhe jo një ekip që rri gjithnjë në pritje. Do të ishte më mirë sikur bardheblutë të luanin me dy sulmues të deklaruar, ashtu siç ka qenë gjithnjë.
Tirana ka vetëm Gilberton sulmues tipik në fakt…
Meqenëse përmendët Gilberton, unë mendoj se ai duhet të jetë pjesë e formacionit të parë. Por ai duhet të ketë dhe dikë tjetër në krah. Jam disi fanatik i skemës klasike dhe nuk i pëlqej fort këto module me “gjysma”. Do të kujtoja këtu Tiranën e sezonit 2006-20017, kur në sulm kishim Sinanin dhe Salihin. Kohë të arta vërtet, kujtoj asokohe që vetëm në fazën e parë këta lojtarë shënonin nga 13 gola secili dhe ishin dy kryegolashënues.
Kjo i mungon Tiranës, sulmi. Vetëm te sulmi çalon Tirana…?
Edhe porta ka pasur luhatje. Nuk kanë një portier fiks, dhe dihet që një ekip që do titullin, i duhet garanci në këtë repart.
Sa përcaktuese është ndeshja e sotme?
Me një humbje, a del Tirana nga gara e titullit? Një ekip që ka pretendime nuk duhet të gabojë më, ndaj Tiranës i duhen vetëm pikët e plota. Ky takim ka rëndësi për vazhdimësinë, por nuk është përcaktuese. Kampionati nuk mbyllet pas kësaj jave.
Luhet në Pukë, si tingëllon fakti që “klasikja” do të luhet larg Shkodrës?
E çuditshme, në fakt. Nuk i shkon për shtat një dueli të tillë që të luhet në fushë asnjanëse dhe sidomos kur dihet që stadiumi i Pukës nuk e ka kapacitetin për të përmbushur interesin e madh të tifozëve. Mjafton të kujtoj se si mbushej “Loro Boriçi” nga të dyja tifozëritë, kur përballeshin Vllaznia e Tirana. Ky fakt do t’ia zbehë pak vlerat kësaj sfide.
Nëse Klodi do të kthehej në kohë, cilën ndeshje do të veçonte si më të veçantën në planin personal?
Unë i kam marrë maksimumin ndeshjeve mes këtyre dy klubeve dhe i kam shijuar. Më shumë me fanellën e Tiranës në fakt, pasi kam luajtur për 6 sezone, ndërsa në Shkodër vetëm 2.
Po një gol special, a ju vjen në mendje?
Do të veçoja një gol vendimtar në Lushnjë, kur luhej finalja Tirana-Vllaznia. Viti 2006, në mos gabohem, dhe e fituam 1-0. Ka vlerë të veçantë, pasi unë shënova dhe Tirana fitoi trofeun.
Kush e fiton titullin kampion këtë sezon?
Do të jetë një garë e fortë, Skënderbeu vazhdon të ruajë stabilitetin e 5 sezoneve të fundit, ndërsa edhe Partizani është rritur dhe kjo duket nga rezultatet. Kukësi është në valle, ashtu si edhe Teuta, e cila me Maganin në krye është bërë një konkurrente e fortë. Por do të doja që listës t’i shtoheshin edhe Tirana e Vllaznia, ndoshta edhe Flamurtarin. Por përjashtoj vetëm ekipet e vendeve të fundit, kështu edhe lufta do të bëhej më e bukur.
Po Partizani-Skënderbeu si e parashikoni?
Ndeshje e fortë e luftuar. Do të luhet hapur dhe do të ketë spektakël. Por nuk mendoj se vendos, thjesht do të ndryshojë renditjen. Pasi gara vazhdon, nuk mbyllet pas këtij 90- minutëshi.
Meqenëse keni marrë edhe licencën “UEFA pro”, cilat janë planet e Duros për të ardhmen?
Ofertat i kam pasur të shumta, edhe nga ekipet e Superiores në fillim të sezonit, por edhe gjatë kësaj periudhe. Por unë nuk e shoh dot veten në ndonjë pankinë përveçse te Tirana dhe Vllaznia, ndërsa s’mund të përjashtoj Elbasanin.
Intervistoi: Adela Merko













