Duro: S’iki nga Tirana. Për Rubion është kapitull i mbyllur…
Klodian Duro kthehet te Tirana, ndonëse vetëm fizikisht, pasi pezullimi mbi të mbetet ende në fuqi. Mesfushori elbasanas, dje rreth orës 13:10, ka zbarkuar në “Skënder Halili”. Me çantën e tij të sportit në dorë, ai ka marrë rrugën drejt ambienteve të brendshme të kompleksit, në një kohë kur trajneri kishte rreth 15 minuta brenda. Më pas ka ardhur edhe drejtoi teknik, Tafaji. Prania e këtij të fundit të lë të kuptosh se një mbledhje mes palëve pritej, ndoshta për të vënë pikat mbi “i”. Ishte programuar që seanca do të startonte në 13:30, por ajo ka filluar 30 minuta më pas. Në këtë moment të gjitha palët kanë dalë nga dhomat e zhveshjes, madje, mund ta kuptohej qartazi se “lufta e hapur” mes Duros dhe Rubios vazhdon. Konkluzioni është i qartë, trajneri spanjoll nuk e do më në ekip dhe këtë ia ka bërë të qartë Alban Tafajit, i cili ia ka komunikuar lojtarit. Në të tilla kushte, mesfushorit 33-vjeçar nuk i mbetet gjë tjetër veçse të stërvitet veçmas grupit, madje në orar të ndryshëm me skuadrën, në mënyrë që të mos ketë asnjë kontakt me pjesën tjetër.
Jeni kthyer në stërvitje, por po stërviteni veçmas grupit?
Po, po stërvitem në këtë formë, sepse kështu është vendosur. Drejtuesit sapo ma komunikuan se jeni i pezulluar pa afat deri në një vendim të bordit drejtues.
Kjo, fill pas kërkesës së bërë nga trajneri, i cili duket se nuk iu do…
Nuk e di se çfarë nënkuptohet me fjalën pezullim, pasi ky vendim është marrë nga trajneri dhe tashmë dihet se çfarë raporti kam unë me të, që nuk është i mirë.
E llogarisni veten ende pjesë të bardhebluve?
Unë jam një futbollist i Tiranës për disa vite dhe gjithnjë kam dhënë maksimumin si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Jam munduar gjithmonë që të ruaj raportet me këto, njëherësh duke mbrojtur interesat e klubit. Unë jam këtu, pasi dua të luaj futboll dhe, jo rastësisht, kam zgjedhur Tiranën. Lidhjet e mia në Shqipëri lidhen ngushtë me bardheblutë, por kjo nuk do të thotë se ofertat më kanë munguar dhe vazhdoj t’i kem. Mirëpo, i kam refuzuar, pasi më intereson Tirana dhe jo ana monetare.
Po nëse Rubio do vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim, çfarë do të bëni?
E vetmja gjë që mund t’ju them tani, është se unë do vazhdoj të stërvitem dhe do të luaj futboll. Dhe, në momentin kur Tirana ta shohë të arsyeshme rikthimin tim, unë do të jem këtu, gjithnjë gati. Futbolli është gjithçka për mua, si dhe puna që unë di të bëj më mirë dhe, mbi të gjitha, karriera ime nuk mund të prishet nga diçka e momentit. Unë respektoj çdo trajner, siç kam bërë gjatë gjithë karrierës, pavarësisht emrit dhe vendit nga ai vjen. Nëse të tjerët nuk mendojnë të njëjtën gjë, çdokush ka të drejtën e mendimit të lirë.
Na e shpjegoni edhe një herë se çfarë ndodhi në Durrës…
Unë u vura në dispozicion të ekipit, ndonëse nuk isha fort mirë nga ana shëndetësore. Çdokush mund ta gjykojë vetë, por, në ato momente unë kisha nevojë për dy fjalë të ngrohta për gjendjen në të cilën ndodhesha. Dhe mendoj se meritoj më shumë respekt, jo për mua si Klodian në veçanti, por si një futbollist i Tiranës.
A i kërkuat trajnerit se përse nuk u futët në formacion?
Për të qenë më i saktë, ajo që unë kërkova, nuk ishte një vend në formacion. Këtë nuk mund ta kërkoj dot, pasi unë arsyetoj dhe mbi të gjitha, eksperienca që kam, nuk më lejon të shkoj deri në këtë pikë. Ajo që unë kërkoja ishte një shpjegim, pasi duke qenë se nuk isha i gatshëm për ekipin, atëherë do ishte më mirë të kisha qëndruar në shtëpi për të mos agravuar gjendjen time shëndetësore. Megjithatë, jam shumë i kënaqur për fitoren e ekipit, pasi erdhi në momentin e duhur. Dua t’i falënderoj shokët e ekipit për atë që treguan dhe uroj që kështu të vazhdojë. Duro, do të jetë gjithnjë me ta dhe në mbështetje të tyre.
Jeni ballafaquar me trajnerin pas atij momenti?
Jo. Gjithçka më është komunikuar nga drejtori teknik, Alban Tafaji, i cili më tha që trajneri nuk dëshiron që unë të stërvitem me ekipin, si dhe nuk preferon të më ketë me grupin, derisa të merret vendimi i ekipit. Është trajneri që e merr vendimin dhe unë e respektoj, pavarësisht se mua nuk më duket e drejtë.
Përveç pezullimit, klubi ju ka gjobitur edhe me një gjysmë rroge…
Për mua si Klodian, njeriu vlerësohet për atë çka ka dhënë për Tiranën dhe të gjithë e dinë se kam kontribuar, edhe pse pa u paguar. Nëse të tjerë kanë shprehur hapur pakënaqësi, unë si Duro nuk kam folur kurrë. Për këtë fakt janë mediat dëshmitare, edhe kur luaja pa u paguar. Unë e kam kënaqësi të luajturin futboll dhe nuk e bëj për para. Madje, lekët që unë marr te Tirana do t’i grumbulloj dhe do t’i vë në funksion të klubit. Me pak fjalë, do t’i bëj dhuratë për Tiranën, që të krijohet një ambient më i mirë për stërvitjen e lojtarëve. Duro nuk humb asgjë, Tirana do të ketë pasoja pa Duron. Megjithatë, jam i bindur që në fund ky ekip do të dalë kampion.
ÇËSHTJA “DURO”, JA ÇFARË KA NDODHUR
1. Gjithçka ka nisur para ndeshjes me Kastriotin. Klodian Duro takon trajnerin dhe i thotë që nuk ndihet gati, pasi kishte qenë me temperaturë gjatë gjithë natës. Rubio e lë të lirë dhe nuk e diskuton më si çështje.
2. Duro është bashkuar me grupin vetëm të mërkurën, pra tri ditë para ndeshjes, me shpresën se do të ishte për ndeshjen me Teutën. Mirëpo trajneri e tha hapur para mediave, që një lojtar i sëmurë nuk mund të jetë gati për të zbritur në fushë. Por sërish e grumbullon dhe elbasanasi niset me ekipin.
3. Rreth dy orë para takimit me Teutën, teksa ekipi ndodhej ende në hotel, trajneri komunikon formacionin dhe në të Duro nuk bënte pjesë. Lojtari kërkon shpjegim i acaruar dhe si rrjedhojë merr valixhen e braktis ekipin, duke u kthyer në kryeqytet.
4. Në përfundim të këtij takimi, ku Tirana doli e fituar, trajneri nuk pranon të flasë për çështjen “Duro”, duke cituar se ai merret vetëm me lojtarët që ka në fushë.
5. Një ditë më pas Duro shpërthen në media, duke hedhur akuza për Rubion dhe Tafajin. Madje hodhi dhe hije dyshimi për takimin e luajtur në Peqin, ku bardheblutë humbën 3-2.
6. Pas këtij momenti reagon drejtori teknik, Tafaji, i cili komunikon pezullimin për lojtarin pa afat, deri në një mbledhje të bordit drejtues dhe gjysmë rroge gjobë.
7. Trajneri nuk replikon me mediat, por i bën me dije drejtorit teknik se Duron nuk e do më në ekip. Madje, as të stërvitet në një orar me grupin. Me pak fjalë, vendimi për pezullim mbetet në fuqi dhe lojtarit s’i mbetet gjë tjetër veçse të stërvitet në mënyrë individuale, gjë që startoi prej ditës së djeshme.
Rubio: Duro, një kapitull i mbyllur për skuadrën time
Qëndrimi i tij është më shumë se i qartë. Klodian Duron nuk e do në ekip, deri në një vendim të dytë që do të japë bordi drejtues. Mirëpo, ai nuk dëshiron që të replikojë, dhe aq më tepër të bëjë polemika me askënd. Sqaron se në Shqipëri ka ardhur për të punuar dhe jo të merret me “sherre”. Gjatë një deklarate të dhënë dje për mediat, spanjolli i bardhebluve ka pranuar me kënaqësi që të flasë, mirëpo në momentin që i janë bërë pyetje në lidhje me çështjen “Duro”, ka thënë qartazi që nuk do që të merret me gjëra, të cilat nuk kanë lidhje me futbollin, në të kundërt s’do të prononcohej. “Nuk kam asnjë përgjigje për këtë çështje. Unë dua të flas vetëm për futboll. Madje, që ditën e parë kur erdha në Shqipëri, e kam thënë dhe stërthënë, që nuk do të flas kurrë keq për askënd, si dhe nuk do të bëj kurrë polemika. Këtu kam ardhur vetëm për të punuar dhe për të përmbushur detyrën time dhe asgjë tjetër”, – tha fillimisht Rubio. Në një moment, kur u pyet nëse lojtarin do ta pranonte apo jo në stërvitje, ai u përgjigj mjaft prerazi: “Thashë, që do të flas vetëm për futboll. Nëse ju nuk keni gjë tjetër për të pyetur, atëherë nuk po përgjigjem fare”.
Paraqitja – Tirana fiton bindshëm në Durrës. Një arritje, e cila duket se është zbehur nga polemikat që kanë dalë së fundmi mes Rubios dhe Duros. Mirëpo, nga krahu tjetër, jo vetëm bardheblutë arritën triumf, pasi edhe rivalët e tyre, si Skënderbeu dhe Flamurtari nuk mbeten pas. “Fitore me shumë vlera ajo në Durrës, mirëpo edhe ai takim u mbyll, ndaj nuk kemi kohë që t’i gëzohemi këtij suksesi. Unë i harroj shumë shpjet humbjet, por edhe fitoret. Gjithashtu, dua të sqaroj se merrem vetëm ekipin tim dhe ndeshjen e radhës, dhe jo me rivalët”, – shtoi më tej tekniku i bardhebluve. Shtyrja – Për Rubion, shtyrja nuk është fort e përshtatshme, në një kohë kur skuadra e tij kishte moralin e duhur për të vijuar kampionatin. Mirëpo, në një kohë kur vendimi i FSHF-së është për të gjithë ekipin, nuk ka vend për komente, thjesht duhet pranuar verdikti. “Fjala prishje planesh është gjë e madhe, ndaj nuk mendoj se kjo shtyrje do të ndikojë negativisht mbi Tiranën time. Thjesht ne jemi ende nën dinamikën e fituesit, ndaj do të ishte mirë që të vazhdonin. Por, kur shtyrja është e njëjtë për të gjithë, për mua gjithçka është në rregull. Do të vazhdojmë punën, që të jemi të gatshëm për rifillimin e aktiviteteve futbollistike”, – përfundoi trajneri spanjoll.
“Trajneri nuk e do në ekip, pezullimi mbetet në fuqi”
Pas një konsulte që pati dje si me trajnerin Hulian Rubio, edhe me Klodian Duron (ndonëse veçmas, pasi trajneri nuk ka dashur të ballafaqohet me lojtarin), Alban Tafaji u ka komunikuar mediave se vendimi për pezullimin e lojtarit mbetet në fuqi. Drejtori teknik i bardhebluve sqaroi se trajneri nuk e do në stërvitje Duron, e kësisoj ai duhet të stërvitet veçmas grupit. Situata do të vazhdojë kështu deri në mbledhjen e ardhshme të bordit drejtues, por që ende nuk dihet se kur do të ndodhë kjo. Ndonëse e qartë është se mesfushori vazhdon të jetë i pezulluar dhe i gjobitur gjithashtu me një gjysmë rroge. “Trajneri më tha që nuk e do në stërvitje lojtarin, kësisoj do e vëmë në praktik një gjë të tillë deri në momentin që të mblidhet bordi drejtues. Që do të thotë, se vendimi për pezullimin e lojtarit dhe gjoba gjithashtu mbeten në fuqi”. Një ditë më parë për gazetën drejtori teknik foli për të ardhmen e lojtarit te Tirana: “Aktualisht Duro është i pezulluar dhe i penalizuar nga ana financiare. Pjesën tjetër nuk më takon ta vendos unë, por bordit drejtues, që pritet të mblidhet e të diskutojë edhe për të ardhmen e mesfushorit në skuadër”.
ADELA MERKO













