“Duhet besim te Ribaj-Liçaj”, ish-trajneri Resuli: Flamurtari ka ende shpresë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2026 | 0:23

“Duhet besim te Ribaj-Liçaj”, ish-trajneri Resuli: Flamurtari ka ende shpresë

Dritan Resuli është trajneri që ka drejtuar Flamurtarin në të tri kategoritë si asnjë tjetër. Vlonjati nga Kategoria e Dytë e riktheu skuadrën në të Parën, por edhe në Superiore e ka marrë në momente të vështira dhe ia ka dalë. Për “Panorama Sport”, Resuli kërkon që publiku dhe tifozët të besojnë më shumë tek dy trajnerët Ribaj-Liçaj që po drejtojnë aktualisht skuadrën.

RESULI

“Rezultat dhe pikët janë ato që të japin një impakt jo optimizmi për vazhdimësinë. Unë nuk dua t’i referohem të shkuarës se si kemi ardhur deri këtu. Dëgjoj shumë opinione, shumë opinionistë japin receta të sakta, japin gjëra nga krevati, nga shtëpia, nga mesazhi. Unë them se te këta djemë të stafit drejtues ne duhet të besojmë. 6 ndeshje që këta po zhvillojnë kanë marrë 6 pikë. Nuk janë shumë kuptohet, por ekipi jep shpresat e karakterit apo dëshirës që kanë për të luajtur.

Më vjen keq kur dëgjoj ndonjë opinion që më tha ai, më tha ky, jo pse nuk e bëri ashtu apo kështu. Janë ata që e kanë marrë këtë detyrë dhe detyra jonë që e duam Flamurtarin pa interes është të vlerësojmë atë investim konkret që është bërë që tek pagesa e lojtarëve dhe deri tek ai stadium i mrekullueshëm. Këta djem janë pjesë e klubit dhe pse mos t’i ndihmojmë dhe suportojmë”, shprehet fillimisht Resuli.

SITUATA – Ish-trajneri Dritan Resuli mendon se kjo situatë ku ndodhet skuadra është edhe çështje fati. “Po të shikojmë zhvillimin e garës apo edhe interpretimin e lojës sidomos në dy ndeshjet e fundit Superiorja është shumë e vështirë. Ne kemi humbur dhe është çështje fati. Goli ne Teutën në minutën e 95-të nga asgjëja është çështje fati.

Puna e penalltive të humbura është përsëri çështje fati. Por këto ndodhin dhe janë pikë. Nëse do i kishim këto pikë do flisnim ndryshe tani. Jemi në vendin e fundit me 26 pikë dhe normalisht. Por çfarë i ka ndodhur Flamurtarit? Nuk më hiqet nga mendja ndeshja me Teutën. Në minutat e fundit një top nga asgjëja…Janë disa gjëra që skuadra duhet rregulluar”, thotë Resuli.

OBJEKTIVI – Dritan Resuli mendon se skuadra duhet të jetë e qetë psikologjikisht në pesë ndeshjet e mbetura. I shikon të vështira sfidat por jo të pamundura për t’u kaluar. “Superiorja është e vështirë. Madje edhe çështja fushë nuk ekziston më tani. Edhe ekipet që janë në pjesën sipër, apo katër vendet e para, kanë llogaritë e tyre. Unë besoj dhe uroj që ne duhet të bëjmë më mirë në këto ndeshje. Duhet të japin maksimumin në ndeshjen me Egnatian.

Nëse fitojmë gjërat ndryshojnë. Edhe vetë ekipi e ka personin e pikëve. Ana psikologjike është jo vetëm në futboll por edhe në çdo aspekt të jetës, aq më tepër kur ne flasim për garë dhe përgjegjësi dhe ana psikologjike është shumë e madhe. Ne nuk ka intereson çfarë bëjnë të tjerët, duhet të shikojmë çfarë bëjmë ne. Duhet të jemi pjesë e Superiores, pasi e meritojmë”, përfundon Resuli.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL