Diferenca me vjet/ “Hakmerret” Elbasani, Partizani tani rrezikon Europën
Elbasani triumfoi pastër me shifrat 3-0 ndaj Partizanit në ndeshjen e javës së 31-të në Kategorinë Superiore, të zhvilluar në “Elbasan Arena”. Edhe pse luajtën në inferioritet numerik prej minutës së 21-të pas ndërhyrjes së Mustës ndaj Sidibes, sërish verdheblutë gjetën forcën e duhur për të koleksionuar tri pikë të arta për llogaritë e kampionatit.

Aktualisht, Elbasani është në kuotën e 56 pikëve në vend të dytë, tri pikë më pak se Vllaznia e vendit të parë, e kështu verdheblutë mbeten në garë të plotë për titullin kampion. Nga ana tjetër, Partizani pas kësaj humbjeje në Elbasan rrezikon pjesëmarrjen në “Final Four”, duke qenë se tashmë diferenca e pikëve me Dinamon është fshirë.
Madje, ekipet kryeqytetase janë në kuotë të barabartë pikësh, 44, me dinamovitët që për momentin kanë marrë pronësinë e vendit të katërt, duke zbritur “Demat e Kuq” në vendin e pestë. Kështu, Elbasani arrin këtë sezon edhe një mini hakmarrje ndaj Partizanit, nëse mund të quhet e tillë, pasi kujtojmë se sezonin e shkuar në ndeshjen e fundit të kampionatit, të kuqtë mposhtën Elbasanin me rezultatin 2-0, duke i lënë verdheblutë jashtë “Final Four”.
Por tashmë këtë sezon historia mund të përsëritet, pasi humbja ndaj Elbasanit dhe pikët e lëna nga kryeqytetasit në këtë transfertë mund të rezultojnë fatale për ta në fundin e sezonit dhe t’i lënë jashtë katërshes, që është edhe objektivi kryesor i sezonit. Megjithatë, në ndryshim nga viti i shkuar kur Elbasani nuk kishte mundësi reagimi, te Partizani kanë në dispozicion edhe pesë ndeshje për të siguruar pikët e nevojshme për vendin e katërt.
Për t’u theksuar është edhe fakti se në këtë sezon, Elbasani ka pasur një bilanc tejet pozitiv ndaj Partizanit, teksa skuadrat janë ndeshur në total gjashtë herë mes kampionatit dhe Kupës. Në katër ndeshjet e Superiores, të kuqtë nuk kanë fituar asnjëherë, ndërsa Elbasani ka marrë dy fitore dhe dy përballje të tjera janë mbyllur në barazim.
Ndërkohë, në Kupë, Partizani fitoi një ndeshje, por më pas u mposht në takimin e kthimit duke u eliminuar kështu në çerekfinalet e kompeticionit. Ndeshja e radhës në kampionat për të kuqtë është ajo ndaj Bylisit, këtë të diel në “Arenën e Demave”.
PANORAMASPORT.AL













