Debuton në stolin e Apolonisë, Borova: Ndaj Teutës përsërisim… Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2020 | 13:06

Debuton në stolin e Apolonisë, Borova: Ndaj Teutës përsërisim… Skënderbeun

Një Apoloni me shumë halle kjo e këtij sezoni, që nuk po krijon dot stabilitet dhe nuk po gjen dot rehati. Në tri ndeshjet që ka zhvilluar në “Loni Papuçiu” gjatë këtij kampionati, fierakët i kanë provuar të tria rezultatet: 1 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Përballja e sotme në orën 13:45 me Teutën ka një rëndësi të veçantë për skuadrën bardhejeshile, pasi vjen nga një javë tejet e ngarkuar, duke filluar nga humbja me Tiranën, rikthimi në fund të renditjes, përplasja e Çoçllit me dy titullarët Mihana dhe Gjata, dorëheqja e trajnerit dhe mendja te tekniku i ri që pritet të emërohet. Megjithatë, optimizmi për t’ia dalë mbanë nga kjo situatë nuk mungon te fierakët. borova apolonia

DEKLARATA – Bledar Borova do të jetë në krye të pankinës në sfidën ndaj Teutës. Vetëm 37 vjeç, ai është drejtor teknik i akademisë dhe njëkohësisht trajner i U-19. Në tri ndeshjet e fundit ka qenë ndihmës i Çoçllit dhe sot i është besuar për herë të parë drejtimi i ekipit në një ndeshje delikate. Borova e ndien përgjegjësinë dhe është i gatshëm për të bërë maksimumin. Ai e njeh mirë ekipin dhe bashkë me ndihmësin Sokol Argjendari, kanë punuar fort ditët e fundit.

“Ekipi është qetësuar, jemi stërvitur normalisht dhe me frymën e përgjegjësisë, sepse kjo ndeshje është një ndër katër ‘finalet’ që kemi deri në fund të dhjetorit, ku tre prej tyre do t’i luajmë në Fier. Në dy ditë që unë stërvis ekipin, pavarësisht ndonjë problemi të vogël dhe të evitueshëm, kam konstatuar pozitivitet dhe kjo është e rëndësishme për skuadrën dhe ballafaqimin e radhës”, ka thënë fillimisht Borova për “Panorama Sport”. Ai beson shumë se mund të përsëritet fitorja ndaj Skënderbeut.

“Me përjashtim të Jeboah, grupi është thuajse i plotë dhe jemi gati për t’u përballur me durrsakët. Vendi në renditje nuk është i favorshëm për ne dhe skuadra ka nevojë për pikë, por jo për presion dhe ngarkesë psikologjike. Lojtarët e kanë të qartë, pa ua thënë askush, që, të paktën në shtëpi, duhet të synojmë maksimumin, fitoren, me çdo kundërshtar. Unë pres nga skuadra që të dhurojë të njëjtën tablo si me Skënderbeun, të jemi një ekip që di të mbrohet mirë në të tria zonat dhe të godasë në momentin e duhur”, përfundoi trajneri.

BUJAR RAMA