Debutoi me “demat” në Champions dhe ëndërron të luajë kundër të vëllait, Ekubani i “vogël”: Te Partizani thuajse e bëra realitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2025 | 18:31

Debutoi me “demat” në Champions dhe ëndërron të luajë kundër të vëllait, Ekubani i “vogël”: Te Partizani thuajse e bëra realitet

Tifozët e Partizanit kujtojnë ende me nostalgji vitin kur në radhët e skuadrës së tyre aktivizohej sulmuesi Kaleb Ekuban, i cili prej disa vitesh është pjesë e Xhenoas në Serinë A. Por ndoshta pakkush kujton se në radhët e kësaj skuadre, luajti për një periudhë të shkurtër edhe vëllai i tij i vogël, Xhozef, i cili erdhi në kohën kur ekipi drejtohej nga Franko Lerda dhe u largua pak muaj më vonë.

Ekuban Partizani

Ai debutoi në Ligën e Kampioneve me të kuqtë, teksa luajti fragmente ndeshjesh ndaj Karabakut e më pas Sherif Tiraspol. Në vijim luajti me pikatore edhe në kampionat e Kupë, për t’u larguar përfundmisht nga të kuqtë në janar. Tanimë, Xhozef po aktivizohet me sukses në Serinë C me Latinën dhe ka përfunduar në radarët e “Gazzetta Dello Sport” ku ka treguar historinë e tij, duke kujtuar pikërisht ndikimin që kishte pasur vëllai i madh, për të firmosur me Partizanin.

“Ishte vëllai im ai i cili më këshilli të bëja një eksperiencë atje. Atij i eci më mirë, unë gjeta më pak hapësira në Shqipëri. Dëgjova muzikën e Champions dhe Ligës së Europës? Po, një emocion unik. Ishin ndeshjet e mia të para si profesionist, i kujtoj me shumë dashuri. U përballëm fillimisht me Karabakun e më pas me Sherif Tiraspol, në të dy rastet ishim shumë pranë kalimit të turit”, kujtoi fillimisht ai.

“Ndeshje ndaj Kaleb? Do të ishte një ëndërr. Të cilën të them të drejtën thuajse e realizova 6 vite më partë. Unë luaja për Partizanin, ai te Trabzonspori. Isha në qiellin e shtatë kur klubi më tha që kishin organizuar një miqësore ndaj klubit turk. Por ai në atë periudhë ishte i dëmtuar, nuk ia doli të zbriste në fushë”, kujtoi Xhozef Ekuban një tjetër moment nga karriera e tij si futbollist i Partizanit.

PANORAMASPORT.AL