Çudia e madhe e Vllaznisë, Kallaku i larguar përfundimisht te klubi i ri por e përfshijnë në listën e UEFA-s
Ndër emrat e regjistruar nga Vllaznia në UEFA për ndeshjet e Ligës së Konferencës, për çudinë e të gjithëve shfaqet edhe emri i Sherif Kallakut.

Mesfushori ofensiv i ka dhënë lamtumirën shkodranëve, edhe se këta të fundit pak javë më parë njoftuan se i kishin rinovuar kontratën për një sezon. Por e vërteta është krejtësisht ndryshe, pasi Kallaku i ka bërë të qartë se nuk do të vazhdojë më në Shkodër, në bazë të një akordi xhentëlmenësh që kishin palët që në momentin kur firmosi një vit më parë.
Ashtu siç kishte paralajmëruar “Panorama Sport”, futbollisti i është bashkuar Teutës dhe nuk ka ndër mend të bëjë prapakthehu, arsye se pse nuk është shfaqur asnjë ditë në stërvitje me Vllazninë në fazën përgatitore. Por shkodranët gjithsesi e kanë përfshirë atë në listën për UEFA-n, duke shpresuar më kot që futbollisti të ndryshojë mendje, edhe pse për momentin kjo duket tërësisht e pamundur.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













