Buxheti 2025, ja milionat për federatat sportive. Mundja më e paguara me 21 milionë
Ndonëse në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit mungojnë të dhënat në lidhje me buxhetin për federatat sportive që prej vitit 2021, MAS së fundi ka lëvruar fondin grand për 14 federata olimpike.
Gazeta “Panorama Sport” ka siguruar tabelën e plotë të ndarjes së buxhetit për federatat. Janë gjithsej 166.7 milionë lekë (të rinj) që u kanë kaluar federatave për të përballuar kalendarin vjetor të garave për vitin 2025. Federata Shqiptare e Mundjes, e cila në vitin që lamë pas i solli Shqipërisë medaljet e para olimpike në histori (2 të bronzta në “Paris 2024”), është federata që ka përfituar buxhetin më të lartë.
Janë 21 milionë lekë në total për FSHM-në, e cila ashtu sikurse të gjitha federatat, që prej janarit i kanë nisur aktivitet e këtij sezoni. Në vendin e dytë si federatë me buxhetin më të madh është Peshëngritja. Në llogarinë e FSHP-së kanë kaluar 20 milionë lekë buxhet për vitin 2025.
Më tej vijnë lojërat me dorë, teksa Federata Shqiptare e Basketbollit dhe ajo e Volejbollit kanë marrë përkatësisht 18 dhe 17 milionë lekë të rinj nga fondi grand. Pas lojërave me dorë vjen “dyrrotaku”, me Federatën Shqiptare të Çiklizmit që ka përfituar 15 milionë lekë buxhet. Më pas është “mbretëresha e sporteve”, Atletika, teksa buxheti i FSHA-së për këtë sezon është 14 milionë lekë; 10.5 milionë lekë për Federatën e Taekuondosë, që pasohet nga Federata e Xhudos me 9 milionë, Noti me 8.8 milionë dhe Qitja me 6 milionë.
Tri federatat olimpike më pak të paguara nga fondi grand janë Gjimnastika me 4.7 milionë, Pingpongu me 4.5 milionë dhe Federata Shqiptare e Tenisit me 3.4 milionë lekë buxhet për aktivitetet vjetore. Në tabelë pasqyrohet lista me 14 federatat dhe buxhetet përkatëse, ndërsa në foto është faksimilja e dokumentit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për shpërndarjen e fondit grand të vitin 2025.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













