Botërori i Tokios: Medalje, rekorde dhe çaste unike! 9 kuriozitete që bënë histori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2025 | 11:26

Botërori i Tokios: Medalje, rekorde dhe çaste unike! 9 kuriozitete që bënë histori

Nëntë ditët e garave në Kampionatin Botëror të Atletikës Tokio 2025, event që u mbyll të dielën në kryeqytetin japonez, kanë sjellë momente që do të mbeten gjatë në kujtesën sportive. Që nga maratona më e ngushtë ndonjëherë, deri te finalja e hedhjes së diskut në shi, duke kaluar përmes një rekordi të ri botëror nga Duplantis, forcës së atletëve kenianë dhe triumfit të madh të Maria Perez. Në këtë speciale ju pasqyrojmë nëntë fakte që shpjegojnë madhështinë e këtij kampionati.

Screenshot 2025-09-24 112552

KAMPIONATI MË I NGUSHTË NDONJËHERË

Plot 11 gara, nëntë për meshkuj dhe dy për femra, janë vendosur për më pak se një të dhjetën e sekondës: 100 m meshkuj (5 të qindtat), 110 m me pengesa (9), 200 m (6), 800 m (4), 1.500 m (2), 3.000 m me pengesa (7), 10.000 m (6), stafeta 4×400 m (7), maratona meshkuj (3), 100 m me pengesa femra (5), stafeta 4×100 m femra (4). Për gara sprinti këto diferenca janë të zakonshme, por jo për maratonën, e cila këtë vit u vendos me një diferencë prej vetëm 3 të qindtave, më pak se ajo e garës 100 metra. Po ashtu, gara të tjera si 1.500 m dhe 10.000 m meshkuj kanë pasur rezultatet më të ngushta në historinë e këtyre disiplinave.

ATLETIKA, MË UNIVERSALE SE KURRË

Atletika mbetet sporti ku çdo vend në botë, pavarësisht nga infrastruktura apo buxheti, ka mundësi të fitojë një medalje. Këtë vit, kjo është bërë më e dukshme se kurrë më parë: 53 vende kanë hyrë në tabelën e medaljeve, një rekord historik. Më parë, maksimumi ishte 46 shtete, i arritur në Osaka 2007 dhe Budapest 2023.

VETËM TRI DOPIETA, TË GJITHA NGA FEMRAT

Vetëm tri atlete kanë arritur të fitojnë dy medalje të arta në disiplina të ndryshme dhe të tria janë femra: Beatrice Chebet (5.000 m dhe 10.000 m), Melissa Jefferson-Wooden (100 m dhe 200 m) dhe Maria Perez (20 km dhe 35 km ecje sportive). Keniania Chebet, që mban edhe rekordin botëror në të dy distancat, solli medaljen e parë për vendin e saj me fitoren në 10.000 m. Amerikania Jefferson-Wooden fitoi gjithashtu edhe në stafetën 4×100 m, ku përfundoi me sprintin përmbyllës. Ndërsa spanjollja Maria Perez bëri histori si e vetmja grua që realizon dy dopieta radhazi në dy Kampionate Botërore të njëpasnjëshme, një arritje që e ndajnë vetëm emra si Carl Lewis, Usain Bolt dhe Mo Farah.

TRE VENDE PREKIN PËR HERË TË PARË MEDALJEN

Samoa, Shën Luçia dhe Uruguai janë ngjitur për herë të parë në podiumin e një Kampionati Botëror të Atletikës. Samoa, me vetëm një atlet, hedhësin e diskut Alex Rose, fitoi bronz në një finale të zhvilluar në kushte shiu. Shën Luçia mori bronz përmes Julien Alfred në 100 metra. Ndërsa Uruguai befasoi me Julia Paternain, që fitoi bronz në maratonë. Gjithashtu, Tanzania fitoi medaljen e saj të parë të artë, në maratonë, me Alphonce Simbu.

KAMPIONATI I REKORDEVE

Tokio 2025 ka qenë një festival rekordesh: personalë, sezonalë dhe botërorë. U vendosën nëntë rekorde kampionati: 800 m meshkuj (Emmanuel Wanyonyi), hedhje çekiçi meshkuj (Ethan Katzberg), kërcim me shkop (Armand Duplantis, rekord botëror), 100 m femra (Melissa Jefferson-Wooden), 400 m femra (Sydney McLaughlinLevrone), 800 m femra (Lilian Odira), stafeta 4×400 m femra (SHBA), 3.000 m me pengesa femra (Faith Cherotich) dhe stafeta mikse 4×400 m (SHBA). Përveç këtyre, janë vendosur edhe nëntë rekorde kontinentale.

DOMINIMI I KENIAS NË GARAT E GJATA PËR FEMRA

Në distanca mbi 400 metra, asnjë vend nuk i afrohet Kenias. Atletet keniane kanë dominuar garat e mesme dhe të gjata: 800 m (Lilian Odira), 1.500 m (Faith Kipyegon), 3.000 m me pengesa (Faith Cherotich), 5.000 m dhe 10.000 m (Beatrice Chebet), maratonë (Peres Jepchirchir). Nga shtatë medalje të arta për Kenian, gjashtë i përkasin këtyre pesë femrave, të cilat kanë pasur një rol thelbësor që vendi i tyre të renditet i dyti në medalje në klasifikimin e përgjithshëm të medaljeve.

SHBA, REKORD HISTORIK ME MEDALJE ARI

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dominuan kampionatin me 26 medalje, më shumë se dyfishi nga Kenia e vendit të dytë që mori 11 medalje. Por ajo që bie në sy është rekordi prej 16 medaljesh të arta, që është shifra më e lartë ndonjëherë për një vend në një kampionat botëror. Më parë, SHBA kishte arritur maksimumin prej 14 medaljesh të arta.

BRITANIA E MADHE, PA ASNJË KAMPION

Ndër zhgënjimet më të mëdha të botërorit ishte Britania e Madhe, e cila u largua pa asnjë medalje ari. Shpresat, si Keely Hodgkinson në 800 m, nuk u konkretizuan. Britanikët përfunduan me 3 argjendi dhe 2 bronzi, duke dalë për herë të parë pa ar në një Botëror që nga viti 2003 në Paris.

SHELLY-ANN FRASERPRYCE, 17 VJET NË MAJË

Shelly-Ann Fraser-Pryce, legjenda e sprintit nga Xhamajka, fitoi medaljen e saj të 16-të në Kampionate Botërore me stafetën 4×100 m, 17 vite pas medaljes së saj të parë në Lojërat Olimpike të Pekinit 2008 (100 m ar). Ajo vendosi të tërhiqej në Tokio, duke lënë pas një karrierë madhështore me 8 medalje olimpike (3 ari) dhe 16 medalje botërore (10 ari). Për shkak të një sulmi paniku, ajo nuk arriti të garonte në “Paris 2024”, ndaj e shtyu lamtumirën për në Tokio, ku u tërhoq siç i ka hije një kampioneje.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL