BOTËRORI I ATLETIKËS/ McLaughlin, ‘flirt’ me rekordin e shumëpërfolur
Sydney McLaughlin Levrone fitoi medaljen e artë në finalen e 400 metrave për femra në Kampionatin Botëror të Atletikës në Tokio, duke regjistruar kohën e jashtëzakonshme 47″78.
Me këtë rezultat, ajo iu afrua jashtëzakonisht shumë rekordit botëror 47″60, të vendosur më 6 tetor 1985 nga atletja e Gjermanisë Londore, Marita Koch, në Australi. Kjo e bën McLaughlin Levrone-n atleten e dytë më të shpejtë të të gjitha kohërave në këtë disiplinë. Në podium, pas saj, u rendit kampionia olimpike nga Republika Domenikane, Marileidy Paulino, me kohën 47″98, rezultat që gjithashtu e bën atë të tretën më të shpejtë në histori, ndërsa medalja e bronztë shkoi për Salëa Eid Naser nga Bahrejni, me kohën 48″19.
Performanca e McLaughlin Levrone, e cila në fakt është specialiste në 400 metra me pengesa dhe mban rekordin botëror në këtë disiplinë me kohën 50″37 (vendosur gjatë triumfit në Lojërat Olimpike “Paris 2024”), u cilësua si e jashtëzakonshme. Kjo sepse rekordi i Marita Koch është prej kohësh objekt debatit për shkak të lidhjeve me përdorimin e substancave të ndaluara nga atletet e Bllokut Lindor gjatë periudhës para rënies së Murit të Berlinit, edhe pse nuk ka prova të mjaftueshme për ta anuluar zyrtarisht nga autoritetet ndërkombëtare të atletikës. Me këtë sukses, McLaughlinLevrone fiton medaljen e saj të tetë të artë në karrierë: 4 olimpike (2 në 400 metra me pengesa dhe 2 në stafetën 4×400 metra) dhe 4 botërore (1 në 400 me pengesa, 1 në 400 të sheshta dhe 2 në stafetë 4×400), me mundësinë për të shtuar edhe një tjetër në fund të kampionatit me ekipin e SHBA-së.
Pas disa garave të fillimit të sezonit në 400 metra me pengesa, McLaughlin-Levrone vendosi të fokusohet ekskluzivisht në 400 metra të sheshta për këtë botëror, me objektivin për të fituar medaljen e saj të parë të artë individuale në këtë disiplinë dhe ndoshta gjithashtu me ambicien e heshtur për të tentuar thyerjen e rekordit botëror. Një sinjal për këtë u dha që në gjysmëfinalen tri ditë më parë, ku edhe pse e uli ritmin në 30 metrat e fundit, ajo vendosi një rekord të ri amerikan me kohën 48″29, një kohë që e tejkaloi bindshëm në finalen e djeshme.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













