Bismark-Dodaj, dyshja sulmuese për kualifikimin. Statistikat favorizojnë Vllazninë ndaj Bylisit
Në prag të sfidës së kthimit çerekfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Bylis, në kampin e Vllaznisë mbizotëron optimizmi, por edhe përqendrimi maksimal. Fitorja 0-1 në ndeshjen e parë u ka dhënë kuqebluve një avantazh të rëndësishëm, megjithatë askush në Shkodër nuk mendon se kualifikimi është i mbyllur.
Kupa mbetet një objektiv madhor për sezonin dhe çdo hap i gabuar në këtë fazë do të kishte kosto të lartë. Trajneri pritet të aplikojë një mini-rotacion në formacionin startues, duke menaxhuar energjitë e skuadrës pa e vënë në diskutim seriozitetin e sfidës. Në portë pritet të aktivizohet Jukaj, ndërsa titullari i zakonshëm Pohl do të marrë pushim, një lëvizje që synon të ruajë freskinë e repartit defensiv për ndeshjet e ardhshme. Besimi te gardiani i dytë tregon gjithashtu thellësinë që ka aktualisht grupi shkodran.
Në mbrojtje pritet të rreshtohen Çelikoviç, Pusi dhe Bajrami, një treshe që garanton fizik, eksperiencë dhe qetësi në administrimin e lojës. Ideja është që Vllaznia të ruajë kompaktësinë prapa, duke mos i lënë hapësira Bylisit për të shfrytëzuar kundërsulmet. Organizimi dhe komunikimi mes repartit mbrojtës do të jenë kyç për të mbrojtur avantazhin e ndeshjes së parë. Në mesfushë pritet një kombinim energjie dhe kreativiteti. Nga krahu i djathtë pritet të aktivizohet Kastrati, ndërsa në të majtë Jago, dy lojtarë që mund të japin shpejtësi dhe thellësi në aksionet sulmuese.
Reparti qendror me shumë gjasë do të plotësohet nga Sala, Qato dhe Kallaku, të cilët do të kenë detyrën të kontrollojnë ritmin e lojës, të mbajnë topin dhe të ndërtojnë aksione të rrezikshme drejt zonës kundërshtare. Në repartin ofensiv, dyshja Bismark-Dodaj pritet të udhëheqë sulmin, me synimin për të shënuar herët dhe për të “mbyllur llogaritë” e kualifikimit. Edhe pse me një sy te menaxhimi i forcave, Vllaznia nuk pritet të futet në fushë për të mbrojtur rezultatin, por për t’a kontrolluar ndeshjen përmes lojës së saj. Mesazhi është i qartë. Avantazhi 0-1 është një hap i rëndësishëm, por objektivi mbetet vetëm një, kalimi në gjysmëfinale me autoritet dhe pa lënë vend për surpriza.
STATISTIKA – Për sezonin 2025-26, Vllaznia dhe Bylis janë përballur katër herë deri në këtë pikë të edicionit, duke konfirmuar rivalitetin e balancuar që i ka shoqëruar vitet e fundit. Tre prej këtyre sfidave i përkasin kampionatit, ndërsa një është zhvilluar në Kupë. Në kampionat, bilanci është i ndarë. Në fazën e parë, Vllaznia fitoi 0-1 në transfertën e Ballshit, duke marrë tri pikë të rëndësishme. Ndeshja e fazës së dytë në Shkodër u mbyll 1-1, ndërsa në javën e 25-të ishte Bylisi që reagoi, duke triumfuar 2-1 dhe duke barazuar llogaritë sezonale në kampionat. Përtej kampionatit, dy skuadrat janë përballur edhe në takimin e parë të çerekfinaleve të Kupës, ku Vllaznia fitoi 0-1 në Ballsh.
Ky rezultat i jep avantazh kuqebluve në garën për kualifikim dhe përforcon bilancin pozitiv sezonal ndaj mallakastriotëve. Nëse zgjerojmë analizën te 10 ndeshjet e fundit mes dy ekipeve në të gjitha kompeticionet, statistikat tregojnë një epërsi të lehtë të Vllaznisë. Shkodranët kanë regjistruar 5 fitore, 2 ndeshje janë mbyllur në barazim, ndërsa Bylisi ka arritur 3 suksese. Këto shifra konfirmojnë një duel konkurrues dhe relativisht të balancuar, ku diferencat kanë qenë minimale në shumicën e rasteve. Megjithatë, në përballjet direkte të viteve të fundit, Vllaznia mbetet disi më e avantazhuar në aspektin statistikor.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













