ATLETIKË/ Pista e Liqenit dhe maratonat në qytete, “shpërthen” Smajlaj: Bashkitë të ndalojnë tenderimet e aktiviteteve tona…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2026 | 11:15

ATLETIKË/ Pista e Liqenit dhe maratonat në qytete, “shpërthen” Smajlaj: Bashkitë të ndalojnë tenderimet e aktiviteteve tona…

Shqipëria e atletikës u rikthye së fundmi të përfaqësohet në Kupën Europiane të Hedhjeve, teksa në Nikosia debutoi si kuqezi Markelo Mema, duke shënuar vend të shtatë me rezultat më të mirë personal, ndërkohë që garoi edhe Yipsi Moreno, me ish-kampionen olimpike që u rendit e 11-ta.smajlajPas këtij aktiviteti, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Izmir Smajlaj, ka analizuar rezultatet, ndërsa ka folur edhe për objektivat e afërta. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai gjithashtu ka ngritur edhe dy probleme të mëdha me të cilat sipas tij po përballet FSHA. Bëhet fjalë për menaxhimin e pistës pranë Liqenit Artificial në Tiranë si dhe për çështjen e organizimit të maratonave.

KUPA EUROPIANE E HEDHJEVE – Smajlaj, fillimisht vlerëson me nota shumë pozitive rezultatet në Kupën Europiane, teksa flet me superlativa për Yipsi Morenon dhe Markelo Memën. “Rezultatet në Kupën Europiane treguan se atletika shqiptare po rritet dhe se ne nuk shkojmë më në këto aktivitete thjesht për pjesëmarrje, por për t’u matur si të barabartë me elitën. Jam i kënaqur me seriozitetin e ekipit, edhe pse Yipsi Moreno nuk ishte në ditën e saj më të mirë. Gjithsesi, unë kam besim të plotë se ajo do të bëjë shumë më mirë në garat e ardhshme. Prania e Yipsit është një marketing i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, pasi të kesh në radhët tona një kampione olimpike i jep një tjetër peshë dhe emër federatës sonë në arenën ndërkombëtare. Një sukses i madh i yni është padyshim Markelo Mema. Kemi punuar shumë për të dhe kemi pritur plot 6 muaj derisa lobimi im personal bëri që Federata Botërore të aprovonte kalimin e tij me Shqipërinë. Në moshën 24-vjeçare, rezultati i tij me vendin e shtatë dhe rekord personal është fenomenal. Markelo na jep një shpresë të madhe dhe ju garantoj që sukseset e tij do të jenë një pas një, shumë shpejt do të kemi podiume prej tij. Duke parë formën e tij, jam i bindur se ai do të kapë normën për në Olimpiadë.

BOTËRORI – Kreu i FSHAsë ndalet më pas te Botërori i sallave të mbyllura që do të mbahet më datat 20-22 mars në Torun të Polonisë, por gjithashtu edhe të garat e tjera. “Javën tjetër kemi një tjetër sfidë të rëndësishme, Kampionatin Botëror, ku do të përfaqësohemi me Franko Burrajn. Franko është në gjendje të mirë dhe shpresojmë që të bëjë më të mirën e tij të mundshme. Kemi një vit jashtëzakonisht të ngjeshur me Lojërat Europiane, Kampionatin Europian në gusht dhe Lojërat Mesdhetare, ndaj na duhet fokus maksimal”.

ATLETIKA, PA LUIZA GEGËN – Smajlaj komenton edhe situatën për atletikën shqiptare që tashmë nuk ka më shërbimet e ikonës, Luiza Gega, por gjithashtu as të vetë rekordmenit të kërcimit për gjati. “Është e vërtetë që jemi në një periudhë tranzicioni, një periudhë e vështirë pas rekordeve të mia dhe të Luizës, por po punojmë fort me brezin e ri. Qëllimi është që shumë shpejt të nxjerrim kampionë të rinj si Luiza, unë apo Franko. Atletika është baza e të gjitha sporteve dhe këtë vit ajo do të jetë pjesë e ekipeve sportive nëpër shkolla, gjë që na jep shpresë të madhe për identifikimin e talenteve të reja”.

KAOSI ME PISTËN – Presidenti i FSHA-së ka ngritur një shqetësim të madh që ka të bëjë me pistën e ndërtuar disa vite më parë në zonën e Liqenit Artificial në kryeqytet. “Duhet të zgjidhim urgjentisht problemin e tmerrshëm me infrastrukturën. Pista e atletikës te Liqeni duhet t’i kthehet menjëherë atletikës dhe të kalojë në administrimin e Federatës. Sot, ajo pistë po shpërdorohet në mënyrën më të keqe, pasi mbi 2000 persona nga sporte të tjera hyjnë e dalin pa asnjë kriter. Ky mbipopullim po shkatërron teknikisht tartanin, përdorimi i tij nga atletë me këpucë të papërshtatshme po e dëmton sipërfaqen e pistës, duke humbur elasticitetin e nevojshëm. Kjo e bën stërvitjen jo vetëm të pamundur, por edhe të rrezikshme. Sportistët tanë elitarë rrezikojnë dëmtime serioze të kyçeve dhe muskujve sepse pista nuk e mbron më këmbën e tyre siç duhet. Përveç pistës, kemi nevojë jetike edhe për një sallë të mbyllur. Pa këto kushte bazë, ne thjesht po mbijetojmë. Nuk mund të kërkojmë medalje kur nuk kemi as kushtet minimale teknike. Pista e Liqenit është shtëpia e atletikës dhe duhet të trajtohet si e tillë, jo si një shesh publik ku shkatërrohet investimi”, deklaron Smajlaj.

MARATONAT – Drejtuesi i Federatës Shqiptare të Atletikës ka denoncuar bashkitë e vendit për mënyrën e organizimit të maratonave, aktivitete të cilat duhet të zhvillohen nëpërmjet FSHA-së.

“Një tjetër çështje jetike që kërkon vëmendje imediate është organizimi i maratonave në vendin tonë. Kemi vënë re një praktikë të papranueshme ku bashkitë po i marrin këto aktivitete, po i tenderojnë dhe po ua kalojnë privatëve për menaxhim. Dua t’u bëj një thirrje të prerë të gjitha bashkive, mjaft tenderuat aktivitetet tona! Maratonat dhe garat e rrugës duhet të bëhen vetëm nëpërmjet Federatës Shqiptare të Atletikës dhe Bashkisë, pa asnjë palë të tretë përfituese. Maratonat gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme nga sponsorët, marketingu dhe tarifat e regjistrimit. Është e pafalshme që këto para të shkojnë në xhepat e privatëve dhe të mos kthehen mbrapsht në sportin e atletikës për zhvillimin e saj, për bazën materiale apo për mbështetjen e kampionëve tanë. Nuk dua të përmend emra konkretë të bashkive sot, por i paralajmëroj të mos marrin më hapa të tillë, sepse në të kundërt do t’ drejtohemi menjëherë organeve përkatëse të ligjit. Absolutisht, ne e dimë që në të gjithë botën ka organizata private që merren me evente të tilla, por kjo bëhet gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me Federatën dhe duke plotësuar kushtet teknike e kriteret që ne vendosim. Këtu te ne, fatkeqësisht, disa e kanë kthyer thjesht në biznes personal. Federata nuk do të lejojë më që emri dhe aktiviteti i atletikës të përdoret për përfitime private, ndërkohë që sporti ynë vuan për infrastrukturë dhe fonde. Atletika u takon atletëve dhe jo bizneseve. Organet përkatëse në ministri janë në dijeni dhe shpresojmë që t’i japim fund këtij fenomeni të çuditshëm që ndodh vetëm në Shqipëri”, përfundon Smajlaj.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL