ATLETIKË/ Pa Luiza Gegën nuk ka më festë, Shqipëria mbetet “thatë” në Ballkanik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2026 | 12:18

ATLETIKË/ Pa Luiza Gegën nuk ka më festë, Shqipëria mbetet “thatë” në Ballkanik

“No Luiza, no Party”, kështu mund të përkufizohet situata aktuale në atletikën shqiptare. Këtë e konfirmon më së miri edhe Kampionati Ballkanik i sallave të mbyllura, aktivitet i zhvilluar gjatë fundjavës së kaluar në Beograd.

gega

Tashmë, me Luiza Gegën jashtë garave, Shqipëria mbërrinte në Serbi pa atleten më fituese në historinë e këtij kompeticioni, e cila për vite me radhë ishte e abonuar me medalje të arta dhe rekorde, madje edhe në disa disiplina gjatë të njëjtit edicion. Kështu, ekipi kuqezi zbarkoi në Beograd me një ekip modest, pa mundur të sigurojë asnjë ngjitje në shkallën më të lartë të podiumit. Rezultatin më të mirë nga atletët e Shqipërisë në Ballkanikun 2026 të sallave të mbyllura e shënoi Franko Burraj në disiplinën e 400 metrave, i cili u klasifikua në vendin e tretë, duke marrë kështu një medalje bronzi.

Burraj shënoi kohën 47.30, kohë larg rezultatit të tij më të mirë, por që gjithsesi i mundësoi një vend në shkallën e tretë të podiumit. Për sa u përket sportistëve të tjerë, Redia Dauti u klasifikua në vendin e katërt në 3000 metra, me kohën 9:46.76. Rekaksa Dauti shënoi rezultatin e saj më të mirë personal në 800 metra, duke regjistruar kohën 2:09.18, për të zënë vendin e nëntë në garën e 800 metrave.

Ndërkohë, Muhamet Çengeli u pozicionua në vendin e 12-të në kërcim së gjati me rezultatin 7.14 metra. Kolindo Kiri u klasifikua në vendin e 14-të në kërcim 3-hapësh, duke shënuar rezultatin 14.08 metra. Vendi i 14-të edhe për Iljana Beqirin në disiplinën e 400 metrave, me kohën 57.60. Kështu, me largimin nga pista të atletes më të mirë të të gjitha kohërave shqiptare, Luiza Gegës, duke i shtuar këtu edhe tërheqjen e Izmir Smajlajt, tashmë në krye të federatës, apo edhe largimin e David Nikollit nga Kombëtarja për shkak të mos marrjes së shpërblimeve financiare të medaljeve, për atletikën shqiptare parashikohet një periudhë shumë shumë e vështirë, e cila tashmë ka nisur dhe rezultatet e Ballkanikut janë një tregues i qartë.2

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL