ATLETIKË/ Kupa e Shqipërisë, Luiza Gega mbetet “jashtëtokësore” për garat kombëtare
Në qytetin e Elbasanit u zhvillua edicioni i radhës i Kupës së Shqipërisë në Atletikë, aktivitet që mblodhi afro 200 sportistë nga 11 ekipe të vendit, në garat për meshkuj dhe femra.
Atletët dhuruan rivalitet dhe rezultate të mira në disiplinat e ndryshme, ndërsa shumë sportistë të rinj treguan potencial dhe konkurrencë të fortë. Në qendër të vëmendjes ishin padyshim Luiza Gega dhe Muhamet Çengeli, të cilët u shpallën sportistët më të mirë të aktivitetit.
Gega, atletja më e madhe e historisë së Shqipërisë, grumbulloi 1035 pikë, ndërsa Çengeli 1079 pikë, duke qenë protagonistë absolutë në disiplinat e tyre. Vllaznia u shpall ekipi më i mirë për meshkuj me 170 pikë, ndërsa Tirana triumfoi te femrat me 158 pikë, skuadër dominuese absolute, e drejtuar nga trajneri Taulant Stërmasi.
REZULTATET – Garat e hedhjeve prodhuan rezultate interesante. Në hedhjen e shtizës për meshkuj triumfoi Besmir Ustalli i Tiranës me rezultatin 46.37 metra, ndërsa te femrat më e mira ishte Mei Sokoli e Partizanit me 34.38 metra. Në hedhjen e diskut fitoi Admir Dizdari i Teutës me 38.10 metra, kurse Selma Pasho e Skënderbeut dominoi te femrat me 22.80 metra. Pasho ishte protagoniste edhe në hedhjen e gjyles, ku siguroi vendin e parë me 8.50 metra, ndërsa te meshkujt triumfoi Joan Deli i Skënderbeut me 12.28 metra.
Sidrit Kopliku i Vllaznisë zhvilloi një paraqitje shumë të mirë duke fituar garën e 800 metrave me kohën 1:57.03 dhe më pas edhe atë të 1500 metrave me 4:04.62. Te femrat, në 800 metra triumfoi Relaksa Dauti e Tiranës me 2:09.14, ndërsa në 1500 metra vendin e parë e mori Kristina Puro e Tiranës me 4:54.17. Në garën e 3000 metrave shkëlqeu sërish Luiza Gega, të cilën nuk mund ta rivalizojë askush as nga meshkujt dhe jo më në radhët e femrave. Gega fitoi bindshëm me kohën 9:21.61, duke treguar diferencën dhe eksperiencën e saj në pistë. Te meshkujt, fitues u shpall Redon Goskova i Partizanit me kohën 9:43.42. Ndërkohë, në 5000 metra për femra, Redia Dauti e Tiranës siguroi vendin e parë me kohën 16:40.98. Në ecjen sportive 5000 metra, Ejona Cufa e Tiranës zhvilloi një garë të mirë duke e mbyllur me kohën 29:09.43.
Sprintet sollën rivalitet dhe emocione deri në finish. Në 100 metra për meshkuj fitoi Endri Rakaj i Vllaznisë me kohën 10.74 sekonda, ndërsa te femrat më e shpejta ishte Phoebe Mustafaraj e Tiranës me 12.11 sekonda. Në 200 metra triumfoi Leandro Çardaku i Vllaznisë me 22.09 sekonda, ndërsa Alisia Qiko e Skënderbeut fitoi te femrat me 25.35 sekonda. Gara e 400 metrave u fitua nga Noah Pavaci i JG me kohën 48.79 sekonda, ndërsa Iljana Beqiri e Tiranës doli e para te femrat me 56.21 sekonda. Durjon Idrizaj i Vllaznisë fitoi 100 metrat me pengesa për meshkuj me 15.83 sekonda, ndërsa Rexhina Berami e Partizanit triumfoi te femrat me 15.21 sekonda.
Në 400 metra me pengesa për femra, vendin e parë e siguroi Livja Topi e Skënderbeut me kohën 1:04.81. Në disiplinat e kërcimeve, një nga rezultatet më të mira të aktivitetit erdhi nga Muhamet Çengeli i Vllaznisë, i cili fitoi kërcimin së gjati me rezultatin shumë të mirë 7.73 metra, rezultat që i dha edhe titullin “sportisti më i mirë” i Kupës. Te femrat triumfoi Erisa Rrasa e Vllaznisë me 5.52 metra. Në kërcimin trehapësh, fitues dolën Kolindo Kiri i Vllaznisë me 13.48 metra dhe Marilena Gjata e Mjeksisë Sportive me 11.40 metra. Ndërkohë, në kërcimin së larti për femra fitoi Rexhina Berami e Partizanit me rezultatin 1.55 metra. Në garën stafetë 4×100 metra për femra, ekipi i Tiranës siguroi vendin e parë me kohën 48.38 sekonda, duke vulosur një paraqitje shumë të mirë të ekipit kryeqytetas në këtë Kupë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













