ATLETIKË/ Kupa e Shqipërisë, Franko Burraj thyen rekordin kombëtar
Atletika ka zhvillu ar dje aktivitetin e dytë për nga rëndësia në arenën kombëtare, Kupën e Shqipërisë 2025, kompeticion që u zhvillua në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Në këtë event konkurruan tetë ekipe për femra dhe meshkuj, duke matur forcat në disiplina të ndryshme. Njeriu i ditës së djeshme në Kupë ishte pa diskutim Franko Burraj, i cili shkëlqeu në pistën e shtëpisë, duke vendosur një rekord të ri kombëtar. Atleti i Vllaznisë përmirësoi rezultatin e tij të vitit 2022 në garën e 400 metrave, duke e zbritur kohën nga 46:16 në 46:14.
Një formë e fantastike nga atleti shkodran, i cili meritoi edhe çmimin e sportistit më të mirë të aktivitetit në radhët e djemve. Ndërkohë, në garat e vajzave, spikati Iljana Beqiri e Tiranës, e cila triumfoi me kohën 56:16 në 400 metra, duke merituar edhe vlerësimin e sportistes më të mirë të Kupës. Për sa i përket renditjes ekipore, Skënderbeu u shpall fitues për vajza, duke grumbulluar 140 pikë, për të lënë pas Tiranën në vend të dytë, 89 pikë, dhe Partizanin në të tretin, me 80.
Kujtojmë që ky është edhe sezoni i parë pas shumë vitesh që zhvillohet pa pjesëmarrjen e Luiza Gegës, atletes më të mirë në historinë e këtij sporti në vendin tonë, e cila aktualisht ka marrë një vit pushim. Duke kaluar në renditjen ekipore për meshkuj, trofeu u fituar nga vendësit e Vllaznisë, të cilët zunë vendin e parë me 192 pikë. Skënderbeu u klasifikua i dyti me 148 pikë, ndërsa Teuta e treta me 27 pikë. Ndërkohë në tabelë pasqyrohen fituesit e Kupës së Shqipërisë me rezultatet e tyre për çdo disiplinë.
IZMIR SMAJLAJ Aktiviteti i Kupës ishte i pari për Izmir Smajlajn, i zgjedhur vetëm pak javë më parë në krye të Federatës Shqiptare të Atletikës. Rekordmeni shkodran, tashmë në rolin e presidentit të FSHAsë, në një prononcim për “Panorama Sport”, e komentoi kështu kompeticionin e zhvilluar dje në qytetin e Shkodrës: “Mendoj që e kisha këmbën e mbarë, sepse që në aktivitet të parë u vendos një rekord kombëtar nga Franko Burrajn me rezultatin 46.14, një kohë fenomenale për Shqipërinë dhe shumë e mirë për të na përfaqësuar në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu u dallua edhe Iljana Beqiri e Tiranës, sportiste e Taulant Stërmasit, e cila bëri një paraqitje shumë të mirë. Edhe rezultat e tjera ishin shumë të mira, rezultate të kënaqshme. Normalisht kemi nevojë për masivizim dhe trajnerët po bëjnë një punë shumë të mirë, kështu që mendoj se shumë shpejt atletika do të zhvillohet edhe më tepër. Si garë e parë, gjithçka shkoi shumë mirë, tani presim aktivitet e radhës, të cilat do të vazhdojnë me kampionatin U-20, më pas do të jetë kampionati kombëtar për të rritur më datat 11-12 qershor, për ta vazhduar më pas me aktivitet ndërkombëtare. Shpresoj shumë që Franko Burraj të mbetet në formë, sepse shumë shpejt afrohet edhe kampionati botëror që do të mbahet në Tokio në shtator. Garantoj të gjithë sportistët dhe trajnerët se do të kenë mbështetjen e plotë të federatës”, u shpreh Smajlaj.
Në fund ai foli edhe për përfshirjen e sportit të atletikës në shkolla: “Kam pasur bisedim me presidentin e Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, dhe shpresoj shumë që edhe atletikë të jetë pjesë e programit për vitin 2026. Përfshirja e atletikës në shkolla mendoj që është shumë e nevojshme, në mënyrë që të na afrohen sa më shumë fëmijë”, përfundoi Smajlaj.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













