ATLETIKË/ Kampionati Kombëtar i të rinjve, triumfojnë Vllaznia për djem dhe Skënderbeu për vajza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2025 | 17:06

ATLETIKË/ Kampionati Kombëtar i të rinjve, triumfojnë Vllaznia për djem dhe Skënderbeu për vajza

Janë mbajtur në qytetin e Elbasanit garat e atletikës në kampionatin e 87-të kombëtar për të rinj. Në këtë aktivitet morën pjesë plot 118 sportistë, mes të cilëve 74 djem dhe 44 vajza. Pjesë e këtyre garave ishin 12 skuadra nga i gjithë vendi, ku dominonte Vllaznia me numrin më të madh të tyre, me të gjithë meshkuj.

FOTO: F. Hazisllari

FOTO: F. Hazisllari

Sa i përket fituesve nuk pati shumë dyshime që tek meshkujt do të triumfonin shkodranët, ndërsa tek femrat vendi i parë i takoi skuadrës së Skënderbeut. Sa i përket sportistëve më të mirë, kampion u shpall Xhonatan Zenelaj i Teutës dhe Alisia Çiko e Skënderbeut. Duhet thënë se këto gara u ndoqën nga afër edhe presidenti i ri i FSHA-së, Izmir Smajlaj. U vu re se nuk mungojnë sportistët e talentuar që mund të bëjnë përpara në sportin e atletikës.

REZULTATET – Për t’u ndalur tek rezultatet në të gjitha disiplinat, në gjyle vendet e para i takuan Grigori Stamulës së Skënderbeut dhe Egla Muskajt të Mjeshtërisë Sportive. Albi Baku i Elbasanit dhe Mei Sokoli e Partizanit zunë vendin e parë në hedhjen e shtizës. Sa i përket diskut, sërish tek meshkujt doli i pari Grigori Stamula i Skënderbeut, ndërsa për femra Flavia Dule po nga ekipi korçar.

Elizeo Spathari i Vllaznisë dhe Figalia Gjati e Partizanit dolën të parët në kërcimin së gjati. Në kërcimin së larti vendi i parë i takoi Andrea Nënshatit të Vllaznisë dhe Mei Sokolit të Partizanit. Elizeo Spathari i Vllaznisë dhe Marinela Gjati e Partizanit, dolën të parët në kërcimin 3- hapësh. Ergi Dalmezi i Vllaznisë dhe Figalia Gjati e Partizanit e përshkuan më shpejt distancën e 110 metrave me pengesa. Në 100 metra dolën të parët Xhonatan Zenelaj i Teutës dhe Alisia Çiko e Skënderbeut. Frenkli Dalipi dhe Selma Pasho të Skënderbeut dolën të parët në garën e 400 metrave.

FOTO: F. Hazisllari

FOTO: F. Hazisllari

Erion Alibali i Vllaznisë dhe Alisia Çiko e Skënderbeut dolën të parët në garën e 200 metrave. Sindrit Kopliku i Vllaznisë dhe Ajla Doda e Tiranës, zunë vendin e parë në garën e 800 metrave. Arson Megjidi i Teutës doli i pari në garën e 1500 metrave, ashtu si Elisabeta Marku e Tiranës. Jorgji Kapedani i Skënderbeut zuri vendin e parë në atë të 5000 metrave, Sindrit Kopliku i Vllaznisë në atë të 400 metrave me pengesa dhe Danjel Gjoni i Elbasanit në atë të 5 km ecje sportive. Sa i përket stafetave 4×100 dhe 4×400, për meshkuj dolën të parët shkodranët dhe për femra, korçaret.

dfgfdfdggfddgfdfgf

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL