ATLETIKË/ Feston Berati, mbi 800 vrapues konkurruan në gjysmë-maratonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2026 | 12:44

ATLETIKË/ Feston Berati, mbi 800 vrapues konkurruan në gjysmë-maratonë

Berati konfirmoi edhe një herë se është një nga destinacionet më tërheqëse për sportin dhe turizmin, duke mbyllur me sukses edicionin e katërt të “Green Half Marathon”.GFKy event, që tashmë është kthyer në një traditë të rëndësishme sportive, mblodhi mbi 800 vrapues nga më shumë se 50 vende të botës, duke e shndërruar qytetin në një arenë të vërtetë ndërkombëtare garash. Mes rrugëve karakteristike dhe panoramës së mrekullueshme të qyteti, pjesëmarrësit përjetuan një kombinim unik të sportit dhe natyrës, duke e kthyer këtë gjysmëmaratonë në një festë të mirëfilltë sportive.

Atmosfera ishte elektrizuese, me qytetarë dhe vizitorë që mbështetën vrapuesit përgjatë gjithë itinerarit. Në garën kryesore të 21 kilometrave për kategorinë ndërkombëtare të meshkujve triumfoi Raphael Garechu Karita, ndërsa tek femrat fituese u shpall Valentine Jebet, duke dëshmuar nivel të lartë konkurrimi dhe përgatitjeje fizike. Në distancën 10 kilometra, Albert Kipkorir Tonui dhe Loise Wambui Kiarie dominuan përkatësisht në kategoritë e meshkujve dhe femrave. Edhe sportistët shqiptarë dhanë një performancë të mirë. Zoi Dhimertika dhe Kristina Pura u shpallën fitues në garën 21 km për meshkuj dhe femra. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe kategorive të tjera, duke përfshirë moshat e treta dhe të rinjtë.

Elmi Gegaj fitoi në kategorinë +65 për 10 km, ndërsa Gazmend Shehu triumfoi në 21 km për të njëjtën grupmoshë, duke dëshmuar se sporti nuk njeh kufij moshe. Çmimi për të riun më të mirë iu dha Ibrahim Sulës, ndërsa vrapuesi më i moshuar i aktivitetit ishte Sotir Qirjaqi. “Green Half Marathon” në Berat nuk është më thjesht një garë, por një simbol i bashkimit të sportit me promovimin e natyrës dhe turizmit. Ky edicion i katërt forcon më tej pozitën e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive, me pritshmëri edhe më të mëdha për vitet në vijim.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL