ATLETIKË/ Fenomenal, Duplantis realizon rekordin e 14-të botëror
Duplantis vazhdon të shkruajë historinë e atletikës, teksa pasditen e djeshme në Tokio, aty ku u shpall kampion olimpik për herë të parë, shtoi një tjetër vulë në rekordet e tij, duke kapërcyer një tjetër kufi: 6,30 metra, një lartësi që dikur dukej e paarritshme. Duplantis e bëri këtë si një mbyllje spektakolare të një gare ku e kishte të sigurt medaljen e artë.
GARA – 25-vjeçari e startoi garën e djeshme të Botërorit me 5,55 metra, lartësia e fillimit për të gjithë atletët, dhe e kaloi menjëherë, natyrisht, me një marzh prej gjysmë metri. Kjo ishte një njohje fillestare për Duplantisin, i cili për të kursyer energji, vendosi të mos e provonte lartësinë tjetër në 5,75 metra, ku kishte disa dështime nga të tjerë, por u rikthye më pas në 5,85 metra dhe ashtu si gjithmonë, e kaloi pa asnjë problem. Në lartësinë 5,90 metra, amerikani Kendriks bëri dështimin e parë, ndërsa greku Karalis, ai që shpesh ndodhet përkrah suedezit në finale, e kaloi pa asnjë vështirësi.
Në 5,95 metra, filloi seleksioni i fortë. Duplantis, i qetë, e kaloi lartësinë e kërkuar me lehtësi, ndërsa rivali i tij më i madh, Karalis, bëri dy dështime radhazi. Kendriks e kaloi lartësinë të dytën, po ashtu dhe Marshall nga Australia, të cilët e arritën rezultatin e tyre më të mirë të vitit. Greku e rrezikoi në përpjekjen e tij të tretë dhe e kaloi, pas së cilës shpërtheu duke kaluar 6,00 metra pa vështirësi, ashtu si Duplantis. Ky ishte edhe momenti kur pjesa tjetër e konkurrentëve ranë, me Marshallin që siguroi bronzin, pasi kaloi 5,90 metra më herët. Të dy atletët ranë dakord të kalojnë 6,05 metra dhe të vendosnin shkopin e kufirit në 6,10 metra.
Karalis ishte shumë pranë kësaj lartësie në tentativën e tij të parë, por nuk e mbajti shkopin. Dhe përgjigja e suedezit ishte e padiskutueshme, duke e kaluar në tentativën e parë. Greku kërkoi që distanca të ngrihej edhe 5 centimetra, deri në 6,15 metra, dhe vetëm një prekje e vogël e pengoi që të shkonte përtej. Ndërkohë Duplantis e kaloi këtë lartësi që në tentativën e tij të parë, ndërsa Karalis përfundoi me një dështim të tretë në 6,20 metra dhe siguroi argjendin.
REKORDI – Me fitoren tashmë të sigurt, suedezi kërkoi nga gjyqtarët që lartësia të ngrihej në 6,30 metra, duke elektrizuar stadiumin e Tokios. Duplantis e ishte fillimisht shumë pranë kalimit të lartësisë, por shkopi ra pas një prekjeje me gisht. Nuk e kaloi as në tentativën e dytë, por në përpjekjen finale, ai mori vrullin e tij të zakonshëm dhe nxori maksimumin. Në këto 45 metra të sprintit të tij, me 20 (dhe herë 22) hapa të hedhur me mbi 10 metra për sekondë, Duplantis shfrytëzoi plotësisht shpejtësinë e tij, një shpejtësi që ka arritur të përmirësohet në 10.37 sekonda për 100 metra, dhe përdori atë për të shtuar energji në ngritje, të cilën e ka më të fortë se rivarët e tij.
Duplantis hodhi shkopin e tij të këcimit, i cili peshoi 2 kilogramë dhe ka gjatësi 5.20 metra, duke i dhënë atij shpejtësinë e nevojshme që të kthehej me një energji më të madhe, energji që e ndihmoi të fluturojë mbi kufirin e vendosur. Një moment historik, me shkopin horizontal që u lëkund mbi mbështetësit, duke krijuar përshtypjen se do të binte, por qëndroi, duke i dhënë mundësinë Duplantisit të regjistronte një rekordin e ri botëtorër, 6.30 metra.
Në vetëm pesë vite, suedezi ka thyer 14 herë rekordet botërore, çdo herë me nga 1 centimetër. Duplantis, i cili mësoi të hidhej në kopshtin e shtëpisë së tij kur ishte fëmijë, ka përmirësuar rekordin e tij botëror me 14 centimetra që nga rekordi i parë prej 6.17 metra, në shkurt të vitit 2020. Nëse Bubka e përmirësoi rekordin me 31 centimetra mes vitit 1984 dhe 1994 (nga 5.83 në 6.14), suedezi tani kërkon të arrijë kufij të pamundur për të krijuar një mbretëri të pakundërshtueshme në atletikën botërore.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













