ATLETIKË/ E bëri “si burrat” në Kupë, Franko Burraj: Nuk e prisja rekordin
Franko Burraj ishte protagonisti i madh i Kupës së Shqipërisë 2025 në atletikë, aktivitet që u mbajt dy ditë më parë në Shkodër.

Ndonëse nuk është piku i sezonit, atleti i Vllaznisë tregoi një formë të shkëlqyer, duke thyer rekordin kombëtar në 400 metra, teksa përmirësoi rezultatin e tij të vitit 2022. Burraj e zbriti kohën e tij të mëparshme nga 46:16 për ta çuar në 46:14. Një performacë që i dha edhe çmimin e sportistit më të mirë të aktivitetit të zhvilluar në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, Franko Burraj rrëfen rekordin dhe pritshmëritë e sezonit. Atleti shkodran shprehet se nuk e priste që rekordi të vinte në Kupë, ndërsa shfaqet optimist për ta përmirësuar edhe më tej rezultatin, duke e çuar në pragun e 45 sekondave.
KOMENTI – Fillimisht 26- vjeçari e komenton kështu vendosjen e rekordit të ri në garën e 400 metrave: “Realisht nuk e prisja, sepse jemi akoma në fazën përgatitore dhe nuk është se futesha për ndonjë rekord në Kupë, pavarësisht se isha afruar shumë në garën që pata më 1 maj në Malin e Zi. Edhe koha nuk ishte shumë në favor për rekord, por ndodhi dhe natyrisht jam shumë i gëzuar, sepse duke qenë se vjen kaq herë dhe në një moment kur forma nuk është maksimale, besoj që në qershor do të kem një rezultat edhe më të mirë”.
PËRMIRËSIM – Burraj thotë se një rezultat i tillë në këtë pikë të sezonit është premtues për t’u përmirësuar edhe më tej në garat e ardhshme, ku dhe rivaliteti do të jetë më i lartë: “Shpresoj që ta përmirësoj përsëri rekordin në garat e ardhshme, pasi kemi kompeticione më të rëndësishme. Në Shqipëri është e vështirë që të thyesh rekord, duke qenë se nuk ka konkurrencë, ndërsa në garat ndërkombëtare le të themi që rekordi vjen pak më kollaj, për shkak të rivalitetit në pistë. Kështu që shpresoj që këtë vit ta ul kronometrin nën pragun e 46 sekondave, duke e zbritur në 45”.
NË PISTËN E SHTËPISË – Atleti i Vllaznisë tregon edhe emocionet e të garuarit në stadiumin “Loro Boriçi”: “Natyrisht që ka emocione, sepse shumë njerëz të afërm vijnë dhe të ndjekin në garë. Nuk mund të dalësh nga pista në Shkodër pa një rekord apo pa një vend të parë dhe duhet të bësh maksimumin gjithmonë”.
GARAT DHE OBJEKTIVAT – Burraj më pas flet për eventet e radhës dhe për objektivat e tij në këto aktivitete: “Tani kemi përpara dy kampionate të rëndësishme, si Europiani, për të mbledhur pikë për ekipin Kombëtar, gjithashtu edhe është Kampionati Ballkanik dhe më vonë në Tokio do të jetë Kampionati Botëror. Në këto gara do të futem për të thyer përsëri rekordin, pra për ta çuar në 45 sekonda. Në Ballkanik për shumë vitesh kam qenë pranë medaljes së artë, duke u renditur në vend të dytë apo të tretë dhe me këtë rezultat që arrita shpresat janë të mëdha që të jem përsëri medalist, duke synuar të artën. Natyrisht më pas objektiv është që të kualifikohem për në Botëror”.
MË SHUMË PËRGJEGJËSI – Me Luiza Gegën, tashmë që ka marrë një vit pauze nga atletika, me Izmir Smajlajn jo më në pistë si dhe David Nikollin që konkurron në Itali, për Franko Burrajn do të thotë më shumë përgjegjësi mbi shpatulla. “Në fakt është e vështirë, sepse vitet e kaluara ka qenë Izmiri dhe Luiza, ndërsa tani sytë janë pak a shumë drejt meje dhe njerëzit presin që të arrij medalje dhe ta rris emrin e atletikës. Por, me sa duket, zgjedhja e Izmirit si president në krye të Federatës më solli fat, duke qenë se vendosa rekord që në garën e parë”, përfundon prononcimin e tij atleti shkodran.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













