ATLETIKË/ Duplantis e bën sërish, thyen për herë të 12-të rekordin botëror
Fenomeni Armand Duplantis “godet” përsëri. Rekordmeni botëror i kërcimit me shkop ka përmirësuar dje rezultatin e tij në “Diamond League” në Stokholm. Duplantis ka fiksuar rekordin e ri botëror prej 6.28 metra dhe këtë e bëri që me tentativën e tij të parë.

Kjo është hera e 12- të që atleti suedez regjistron rekord botëror në kërcimin me shkop, por 25- vjeçari nuk kishte arritur asnjëherë ta realizonte në stadiumin e tij të shtëpisë. Gëzimi i tij ishte i madh, teksa pas kërcimit Duplantis grisi bluzën, duke shpërthyer në festë para publikut të tij.
“Jam shumë i lumtur që gjithçka u realizua dhe që arrita të vendosja sërish rekord. Thyerja e rekordit këtu në Stokholm ishte një nga objektivat e mi më të mëdha për sezonin. Është një ndjesi kaq e veçantë dhe po përpiqem ta shijoj. Mendoj se kërcimi ishte perfekt”, deklaroi Duplantis për “Olympics.com”, pasi theu me 1 centimetër rekordin e tij të mëparshëm botëror.
PANORAMASPORT.AL













