ATLETIKË/ Botërori “indoor”, dhjetë finalet që nuk duhen humbur. Priten gara elektrizuese në Torun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2026 | 9:40

ATLETIKË/ Botërori “indoor”, dhjetë finalet që nuk duhen humbur. Priten gara elektrizuese në Torun

Në vitet çift mes dy Lojërave Olimpike, kur mungon një Botëror në natyrë, nuk ka garë më emocionuese sesa Kampionati Botëror i sallave të mbyllura në sportin e atletikës.

XDG

Aty, disa nga yjet më të mëdhenj kërkojnë të pasurojnë më tej karrierën e tyre. Toruni në Poloni nuk do të jetë përjashtim, pasi emra si Armand Duplantis, Julien Alfred, Yulimar Rojas, Yaroslava Mahuchikh, Miltiadis Tentoglou, Kishane Thompson, Cole Hocker, Josh Kerr dhe Keely Hodgkinson do të jenë protagonistë në një kompeticion intensiv 3-ditor më datat 20-22 mars, që premton emocione të forta. Në këtë speciale kemi përzgjedhur 10 finale që në letër duken spektakolare dhe që nuk duhen humbur nëse dëshiron të shijosh plotësisht këtë kampionat.

KËRCIM SË LARTI PËR FEMRA (e premte, 11:39) Pas një viti 2025 pa fituar titull botëror, ukrainasja Yaroslava Mahuchikh synon të rikthehet në majë, siç bëri në Lojërat Olimpike të Parisit. Ajo kryeson renditjen e vitit me 2.03 m, përpara serbes Angelina Topic (2.00). Australiania Nicola Olyslagers, kampione e dyfishtë botërore vitin e kaluar, këtë sezon ka kërcyer 1.96 dhe vjen me më pak shanse për të mbrojtur titullin.

HEDHJE GJYLEJE PËR FEMRA (e premte, 18:10) Finalja pritet shumë e fortë, me katër atlete që kanë kaluar 20 metrat këtë vit. Kryeson holandezja Jessica Schilder (20.69), e ndjekur nga amerikania Chase Jackson (20.44). Në garë janë edhe kampionia olimpike Yemisi Ogunleye (20.37) dhe kanadezja Sarah Mitton (20.27), që mbron titullin.

60 METRA PËR MESHKUJ (e premte, 21:22) Gara më prestigjioze e sprintit në sallë sjell përballjen mes Kishane Thompson dhe Trayvon Bromell. Por surpriza është i riu amerikan Jordan Anthony, më i shpejti i vitit me 6.43. Britaniku Jeremiah Azu synon të mbrojë titullin e fituar vitin e kaluar.

KËRCIM ME SHKOP PËR MESHKUJ (e shtunë, 18:25) Armand Duplantis vazhdon të dominojë këtë disiplinë, duke thyer rekordin botëror deri në 6.31 m. Ai synon një tjetër medalje ari, ndërsa greku Emmanouil Karalis, që ka arritur 6.17 m, është gati të përfitojë nëse suedezi nuk është në ditën e tij më të mirë.

3000 METRA PËR MESHKUJ (e shtunë, 19:22) Në mungesë të Jakob Ingebrigtsen, gara mbetet e hapur. Favoritë janë Cole Hocker, Josh Kerr dhe Yared Nuguse, ndërsa francezi Yann Schrub kryeson renditjen e vitit. Një finale me shumë pretendues.

60 METRA ME PENGESA PËR MESHKUJ (e shtunë, 21:02) Pa Grant Holloëay, polaku Jakub Szymanski është më i shpejti i vitit (7.37). Ai do të rivalizojë me amerikanët Dylan Beard dhe Trey Cunningham. Spanjolli Quique Llopis, në formë të shkëlqyer, synon podiumin e parë botëror.

60 METRA PËR FEMRA (e shtunë, 21:20) Julien Alfred dhe Zaynab Dosso kryesojnë me 6.99 këtë sezon. Në garë për titull janë edhe Van der Weken dhe Jacious Sears. Polakja Ewa Swoboda synon sërish medalje para publikut vendas.

KËRCIM SË GJATI PËR FEMRA (e diel, 10:20) Portugezja Agate De Sousa kryeson me 6.97 m, përpara italianes Larissa Iapichino. Në garë janë edhe amerikanet Jasmine Moore dhe Monae Nichols. Do të ketë një podium të ri krahasuar me edicionin e kaluar.

KËRCIM SË GJATI PËR MESHKUJ (e diel, 19:12) Mattia Furlani mbron titullin, por konkurrenca është e fortë me Bozhidar Saraboyukov (8.45) dhe Miltiadis Tentoglou, që kërkon rikthimin në majë pas një viti të vështirë.

60 METRA ME PENGESA PËR FEMRA (e diel, 20:13) Devynne Charlton synon titullin e tretë radhazi. Rivale të forta janë Ditaji Kambundji, Nadine Visser dhe Pia Skrzyszowska, të gjitha me kohë 7.78 këtë vit. Kjo është një nga garat më të hapura të kampionatit.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL