ATLETIKË/ Botërori “indoor”, Burraj kthehet me rekord nga Polonia. Kampioni shkodran shkëlqen në 400 metra
Në Torun të Polonisë ka startuar dje Kampionati Botëror 2026 në salla të mbyllura i atletikës. Një event ku merr pjesë edhe Shqipëria, e përfaqësuar me një sportist, Franko Burrajn.

27-vjeçari kuqezi debutoi në mënyrë të shkëlqyer në botërorin e sallave të mbyllura, duke shënuar një rezultat të madh në nivel kombëtar në kualifikueset e 400 metrave që u mbajtën në sesionin e paradites në Torun. Atleti shkodran u rendit në vendin e tretë në Baterinë 5, duke regjistruar kohën 46.56, për të vendosur një rekord të ri kombëtar në këtë disiplinë.
Një garë që nuk kishte si të shkonte më mirë për Burrajn, i cili u fut në kompeticion me synimin kryesor për të përmirësuar rekordin e tij. Ky rezultat i mundësoi kualifikimin për në gjysmëfinale atletit kuqezi, duke e pozicionuar në vendin e 12-të mes 25 pjesëmarrësve që konkurruan në raundin kualifikues. Më pas, në mbrëmje, ishte radha për garën e gjysmëfinales, me Burrajn që ishte pjesë e Baterisë 3.
Në gjysmëfinale u ngrit edhe niveli i kundërshartëve, me Burrajn që regjistroi kohën 47.23, duke u klasifikuar i fundit në bateri dhe i 16-ti mes po kaq garuesve. Gjithsesi, botërori mbetet një paraqitje mëse pozitive për atletin shqiptar, i cili arriti të përmirësojë kohën e tij personale, duke u kthyer në atdhe me rekord të ri kombëtar në garën e 400 metrave në salla të mbyllura.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













