ATLETIKË/ Ballkaniku në Beograd, Shqipëria del pa medalje
Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj në Kampionatin Ballkanik të atletikës në salla të mbyllura, event që u mbajt më 15 shkurt në Beograd.
Kombëtarja kuqezi nuk ia doli që të linte gjurmë në këtë eveniment, pasi nuk arriti që të fitonte asnjë medalje. Me mungesën e Luiza Gegës, e cila garantonte medalje të arta prej vitesh, si sportistja më fituese në historinë e këtij kompeticioni, por që në këtë sezon po qëndron pushim, atletët e tjerë të Shqipërisë nuk u shfaqën konkurrues për të kapur podiumin.
REZULTATET Në garën e 400 metrave, Franko Burraj shënoi kohën e tij më të mirë sezonale 47.27, por që ishte rezultat i pamjaftueshëm, duke u klasifikuar i dyti në bateri. Po në 400 metra, Stivi Kereku shënoi kohën 50.24, për tu renditur në vendin e katërt në baterinë e tij. Në disiplinën e 60 metrave, Paola Shyle fiksoi kohën 7.84, më e mira personale për të në salla të mbyllura, por që nuk shkoi më shumë se vendi i pestë në baterinë e saj.
Në 800 metra Relaksa Dauti u klasifikua në vendin e katërt në bateri, duke shënuar rezultatin më të mirë personal në salla të mbyllura me kohën 2:10.58. Leandro Çardaku u rendit në vendin e pestë në bateri në disiplinën e 60 metrave me kohën 6.98. Livja Topi regjistroi rezultatin 59.39 në garën e 400 metrave, për tu renditur në vendin e dytë në baterinë e saj. Ndërkohë duke kaluar në garën e kërcimit për së gjati, disiplinë ku tetë vite më parë Izmir Smajlaj bënte historinë në Beograd me medalje ari, këtë herë atletët tanë ishin larg zonës së medaljeve. Muhameti Çengeli nuk shkoi më shumë se vendi i tetë më kërcimin 7.30 metra, ndërsa Erisa Rrasa u klasifikua e dhjetë më kërcimin e saj 5.39 metra.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













