Atleti nga Afrika e Jugut regjistron rezultat historik, njeriu i parë që përshkon 100 km nën 6 orë
Bota e sporteve të qëndrueshmërisë ka një emër të ri për t’u mbajtur mend: Sibusiso Kubheka. Atleti nga Afrika e Jugut ka hyrë në histori si njeriu i parë në planet që ka përshkuar 100 kilometra në më pak se 6 orë – një arritje që deri dje dukej e pamundur.

Gara u zhvillua në pistën e famshme “Nardò Ring” në Itali, ku “Adidas” organizoi një sfidë të jashtëzakonshme për të testuar limitet njerëzore. Përkrah Kubhekës, në pistë u rreshtuan emra të mëdhenj të ultramaratonës si Aleksandr Sorokin (Lituani), Jo Fukuda (Japoni), Charlie Laërence (SHBA) dhe Ketema Negasa (Etiopi). Me një gjatësi prej 12.5 kilometrash, cirkuiti i Nardòs ishte vendi i përkryer për këtë përpjekje titanike.
Të pajisur me atlete të teknologjisë së fundit të dizajnuara për distanca ekstreme, atletët sfiduan jo vetëm njëri-tjetrin, por edhe historinë. Pas 5 orë, 59 minuta dhe 20 sekondash, Kubheka kaloi vijën e finishit, duke thyer rekordin botëror të mëparshëm me plot 6 minuta e 15 sekonda, një rekord që mbahej nga Aleksandr Sorokin. Ky nuk ishte thjesht një triumf personal, ishte një një dëshmi se me përgatitje, teknologji dhe vendosmëri, kufijtë e trupit njerëzor janë shumë më larg nga sa kemi menduar.
Sibusiso Kubheka nuk thjesht vrapoi 100 kilometra, ai ndryshoi historinë. Duke folur për performancën e jashtëzakonshme, rekordmeni i ri në 100 km, Sibusiso Kubheka, e komentoi kështu triumfin: “Jam shumë krenar për performancën time. Të thyej këtë rekord dhe të bëhem personi i parë që vrapon 100 kilometra për më pak se 6 orë nuk ishte e lehtë, por falë partneritetit, besimit dhe teknologjive të veçanta të ‘adidas’, ne ia dolëm. Kur bashkojmë atletët më të mirë, përgatitjen e duhur dhe inovacionin në sport, gjithçka është e mundur”, deklaroi Kubheka.
PANORAMASPORT.AL













