ABISSNET SUPERIORE, FINAL 4 / Formula i prish punë Elbasanit, Partizanit i duhet një mrekulli për titullin. Shihni situatën aktuale dhe kalendarin e ndeshjeve
Java e 30-të e Abissnet Superiore është mbyllur pa ndryshime sa i përket emrave të katër skuadrave në zonën e “Final Four”, por me ndryshime pozicionesh e pikësh që ndikojnë në planin sa i përket ecurisë së tyre në “mini kampionatin” që përcakton titullin kampion dhe Europën.

“Pas përfundimit të katër fazave të rregullta të kampionatit, 4 (katër) ekipet e para në renditje do të marrin pjesë në fazën “Final 4”, duke e nisur këtë fazë me pikët e fituara gjatë kampionatit të rregullt të përllogaritura në mënyrë të përgjysmuar duke marrë parasysh vlerën më të ulët”, shkruhet në rregulloren e aktivitetit.
Me këtë rregull, ajo që e pëson është Elbasani, e vetmja në katërshe që merri vlerën më të ulët pas përgjysmimit. Kështu 53 pikë të verdhebluve do të përktheheshin me 26 pikë për renditjen në start të “Final Four”. Tre skuadrat e tjera janë në numër çift në renditjen aktuale të kampionatit, ndaj nuk do të humbnin pikë sipas rregullores.
Ajo që bie në sy është se pak nga pak, skuadra e vendit të katërt po shkëputet shumë nga ajo e vendit të parë dhe do të duhej një mrekulli për titullin kampion edhe pas përgjysmimit të pikëve. Partizani që mban aktualisht vendin e katërt, do të kishte 6 pikë diferencë nga vendi i parë, 5 nga i dyti dhe 4 nga i treti, që do të thotë se edhe nëse fiton tre ndeshjet e veta, do të jetë plotësisht në varësi të rezultateve të tjera.
RENDITJA E FINAL FOUR ME SITUATËN AKTUALE
Vllaznia 28 pikë, Egnatia 27 pikë, Elbasani 26 pikë, Partizani 22 pikë.
KALENDARI ME SITUATËN AKTUALE
Java 1
Vllaznia-Partizani (E shtunë, 16 maj ora 19:00 në “Air Albania”)
Egnatia-Elbasani (E diel, 17 maj ora 19:00 në “Air Albania”)
Java 2
Vllaznia-Elbasani (E shtunë, 23 maj ora 19:00 në “Air Albania”)
Egnatia-Partizani (E diel, 24 maj ora 19:00 në “Air Albania”)
Java 3
Vllaznia-Egnatia (E premte, 29 maj ora 19:00 në “Air Albania”)
Elbasani-Partizani (E diel, 31 maj ora 19:00 në “Air Albania”)

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













