Zyrtarizohen ndryshimet në kombëtaret e moshave të Shqipërisë, vetëm Bushi i paprekshëm. Nis punën edhe Ahmataj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 21:41

Zyrtarizohen ndryshimet në kombëtaret e moshave të Shqipërisë, vetëm Bushi i paprekshëm. Nis punën edhe Ahmataj

FSHF ka zyrtarizuar sot ndryshimet që janë bërë në stafet e kombëtareve të moshave, ku ka pasur lëvizje thuajse në të gjitha nivelet. Ashtu siç kishte bërë të ditur “Panorama Sport” disa ditë më parë, edhe Julian Ahmataj është bërë pjesë e stafeve kuqezi.

drejtori teknik

“Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të bëjë disa ndryshime në sektorin teknik. Departamenti i Komunikimit bën me dije se Kombëtarja U-17 do të drejtohet në vazhdimësi nga trajneri Bledi Shkëmbi, i cili më parë ka drejtuar ekipin kuqezi U-19, ndërsa Ardi Behari i cili mbante postin e trajnerit të Kombëtares U-17, tani do të jetë përgjegjës i sektorit të skautizmit në Federatën Shqiptare të Futbollit. Përgjegjës për drejtimin e Kombëtares U-16 do të jetë Fatjon Muhameti.

Ndërkaq, FSHF ka arritur marrëveshjen me trajnerin Julian Ahmataj për të marrë drejtimin e ekipit Kombëtar U-19. Julian Ahmataj është një trajner me eksperiencë pasi ka drejtuar disa ekipe në vendin tonë si Teuta, Luftëtari, Tirana, Skënderbeu dhe gjithashtu ka punuar edhe me ekipet e moshave. Ndërsa Erjon Stavri do të jetë koordinatori teknik i Qendrave Rajonale”, shkrihej në njoftimin e FSHF-së duke zyrtarizuar ndryshimet.

“FSHF ka bërë disa ndryshime në sektorin teknik. Përgjegjësi i ri i sektorit të skautizmit është Ardi Behari. Alban Bushi vijon të jetë në krye të Kombëtares U-21, ndërsa Julian Ahmataj do të marrë drejtimin e Kombëtares U-19. Bledi Shkëmbi kalon te Kombëtarja U-17, Fatjon Muhameti merr drejtimin e Kombëtares U-16. Ndërsa Armand Dama vijon të jetë në krye të Kombëtares U-15. Erjon Stavri është koordinatori teknik i Qendrave Rajonale”, tha Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea.

Përgjegjësi i sektorit të skautizmit, Ardi Behari, tregoi se si do të niste tashmë një detyrë të re brenda këtij institucioni.

“Është një punë shumë e rëndësishme në Federatën Shqiptare të Futbollit. Detyrat janë specifike, pavarësisht se mendoj që janë të prekshme nga ana ime, për shkak edhe të njohjeve që kam me lojtarët. Jo vetëm me ata që luajnë në Shqipëri por edhe me ata që luajnë jashtë, për shkak edhe të kohëzgjatjes në punë dhe të fashave të moshave të ndryshme që i kam kaluar nëpër duart e mia. Mendoj që është një punë që më përshtatet dhe shumë e bukur për ta bërë” – tha ai.

“Është një eksperiencë e re, është një kënaqësi e madhe të drejtosh një ekipi Kombëtar në vendin tënd. E shoh si një mundësi shumë të mirë për të kontribuar për të ardhmen e vendit, për të ndihmuar, për të stërvitur dhe përmirësuar lojtarët, që të jenë gati për ekipin Kombëtar A.

Organika e skuadrës është e madhe, por padiskutim që priten edhe prurje të reja. Bëhet fjalë për elementë të rinj që dalin dhe spikatin nëpër vende të ndryshme dhe në Shqipëri. Kjo është një punë kolosale e organizuar shumë mirë dhe ne duhet t’i japim ato njohuri që t’i përmirësojmë lojtarët në të gjitha aspektet fizike, teknike dhe taktike, që janë elementët për të përmirësuar dhe për të shkuar në nivele të larta” – tha trajneri i ri i Kombëtares U-19, Julian Ahmataj.

Erjon Stavri shpjegoi detyrat që ai do të ketë si koordinator teknik i Qendrave Rajonale.

“Puna ime është mbikëqyrja dhe koordinimi sa më i mirë i punëve në Qendrat Rajonale. Fokusi kryesorë do të jetë në rakordimin dhe interpretimin sa më të mirë të planeve stërvitore, për të rritur sa më shumë nivelin e lojtarëve të cilët janë pjesëmarrës në këto Qendra Rajonale, ku aty është dhe sektori më i rëndësishëm për furnizimin e ekipeve Kombëtare”, – tha koordinatori teknik i Qendrave Rajonale, Erjon Stavri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"