Zv.trajneri Hoti: Burrel me dy fytyra, ndaj Luzit nuk ishim në lartësinë e duhur”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2024 | 23:58

Zv.trajneri Hoti: Burrel me dy fytyra, ndaj Luzit nuk ishim në lartësinë e duhur”

Pas fitores kundër Bylisit, pritej që Burreli të kishte të njëjtën paraqitje edhe në ndeshjen e së dielës kundër Luzi 2008, por ndodhi e kundërta. Dhe pse e mbylli me fitore pjesën e parë, me golin e shënuar nga Kastrati në minutën e 27-të, në fraksionin e dytë Luzi arriti që përmbysi rezultatin shumë shpejt.

HOTI

Luznjakët shuan çdo iluzion të matjanëve për të marrë rezultatin pozitiv. Në ballafaqimet me Luzin në këtë kampionat, Burreli regjistron një tjetër rezultat negativ, pasi janë mundur në të tria përballjet në kampionat. Bilancit negativ i shtohet dhe golavarazhi mes tyre (2-9). Në këtë mënyrë, Luzi 2008 është skuadra që i ka shënuar më shumë Burrelit se çdo skuadër tjetër deri tani në kampionat. Duke folur për “Panorama Sport”, zv.trajneri i matjanëve, Renato Hoti, mes të tjerash analizon lojën e skuadrës.

“Në ndeshjen kundër Luzit skuadra tregoi dy fytyra. Një pjesë e parë e mirë e dominuar nga ana jonë dhe goli i shënuar erdhi si rezultat i kësaj paraqitjeje. Në pjesën e dytë, loja e skuadrës ishte për t’u harruar. Skuadra jo vetëm që nuk ishte ajo e 45 minutave të para, por pësoi rënie në të gjithë treguesit e saj. E thënë shkurt, Burreli nuk funksionoi taktikisht, duke mos zbatuar detyrat e dhënë nga ana jonë”, u shpreh fillimisht zv.trajneri,.

Sipas Hotit, në humbjen e fundit ndikuan dhe dy mungesat e rëndësishme të skuadrës, për shkak kartonësh. “Në ndeshjet kundër Luzit, ndikuan dhe dy mungesat e formacionit bazë, Farruku dhe Koleci. Kjo humbje le të shërbejë si reflektim për ndeshjen e radhës kundër Besës, që do ta zhvillojmë në fushën tonë. Fitorja është detyrimi ynë, për t’u rikthyer te rezultatet pozitive”, përfundoi zv.trajneri i Burrelit, Renato Hoti. Në fundjavë, në “Liri Ballabani”, matjanët do të presin Besën e Kavajës.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"