Zhiru bëhet rekordmen për Francën, thyen edhe mallkimin 20-vjeçar të Milanit në Botëror

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2022 | 17:43

Zhiru bëhet rekordmen për Francën, thyen edhe mallkimin 20-vjeçar të Milanit në Botëror

Olivie Zhiru po tregon se pavarësisht moshës, po kalon një formë të jashtëzakonshme, ndaj po shënon me një rregullsi të admirueshme në klube e së fundmi me përfaqësuesen e Francës. Sulmuesi i cili deri pak muaj më parë mendohej se mund të mos grumbullohej në Botëror, është kthyer në një pikë fikse përsëri për rreshtimin e Deshamp duke ia shpërblyer këtë besim me gola.

zhiru

Sot ai shënoi ndaj Polonisë në ndeshjen me eliminim direkt, duke ndihmuar ekipin e tij të marshonte drejt çerekfinaleve, një gol që i dha avantazhin ekipit dhe e bëri atë njëkohësisht pjesë të historisë së kësaj përfaqësueseje. Ky ishte goli i 52-të i Zhiru me fanellën e Francës, duke kaluar një legjendë si Tierri Henri me të cilin ndante deri më sot vendin e parë.

Ndërkohë, ai prishi edhe një mallkim 20-vjeçar të Milanit. Rezulton se asnjë futbollist i kuqezinjve nuk kishte shënuar gol në fazën me eliminim direkt të Botërorit që kur Umit Davala e kishte bërë një gjë të tillë për Turqinë përballë Japonisë në qershorin e vitit 2002.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"