Zgjedhjet në atletikë, Shyti: Federata në kaos, duhet një plan për ta ringritur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2023 | 21:43

Zgjedhjet në atletikë, Shyti: Federata në kaos, duhet një plan për ta ringritur

Federata Shqiptare e Atletikës do të zhvillojë nesër Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore, në të cilën do të votohet presidenti i ri që do ta drejtojë këtë institucion deri në vitin 2024. Një prej kandidaturave për të marrë drejtimin e FSHA-së është edhe Artan Shyti, i cili e ka drejtuar atletikën shqiptare dy dekada më parë.

artan shyti

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Shyti tregon pse vendosi të futet në garë, ndërsa rrëfen gjithashtu programin e tij për federatën. Ai e quan katastrofike situatën që po kalon atletika, ndërsa zbulon planin për ta rimëkëmbur, një plan që nis që nga puna më fëmijët, te trajnerët, për të vijuar me aspektin financiar.

Z.Shyti, si erdhi zgjedhja për të kandiduar për president në Federatën Shqiptare të Atletikës?

Siç dihet, u dënua presidenti dhe mbeti vendi vakant. Në një situatë të tillë, miqtë e mi, të cilët kanë mbetur të njëjtët që nga koha kur unë kam qenë president i federatës, më kërkuan që kandidoja. Kështu që thashë OK dhe pranova. Kjo ishte pak a shumë shtysa, duke pasur parasysh qe edhe situata është katastrofike në atletikë.

Është thjeshtë dëshira për të kontribuuar në familjen e atletikës, e cila përbëhet një grupim njerëzish pasionantë, pasi në këto kushte janë të nënvlerësuar dhe të nëpërkëmbur. Dëshira është që t’i japësh vlerë sakrificës dhe përkushtimit të këtyre njerëzve.

Të evidentosh djem dhe vajza të talentuar, për të cilët nëse nuk krijojmë një sistem evidentimi, ata do të humbasin. Pra, që nesër të kemi sportistë si Luiza Gega, Izmir Smajlaj apo Franko Burraj.

Cili është plani dhe risitë që mendoni të sillni në FSHA, federatë që e keni drejtuar edhe më parë?

Kam bërë një program të cilin ua kam dërguar të gjithëve dhe kam shumë gjëra që duhen bërë. Atletika nuk është më sporti që ka qenë kur isha unë president, nuk është më sporti i tretë apo i katërt më i rëndësishëm.

Është katandisur aq keq saqë merr më pak lekë edhe se taekuondoja apo çiklizmi. Pistat janë duke e mbyllur dhe do të prishen edhe këto të tjerat që kanë mbetur. Trajnerët ankohen shumë për financime, gjyqtaria trajtohet absolutisht në mënyrë jo dinjitoze.

Kur kam qenë president i jepja 150 milionë lekë në vitin 2000 vetëm fond grant, ndërsa sot janë 100 milionë bashkë me rrogat e administratës brenda, ndërkohë kur 150 milionë asokohe sot janë 250 bazuar në inflacion, pra kemi një ulje të rëndësishme financiare.

Unë besoj që me ato mundësitë e mia, duke qenë edhe kryetar i shoqatës së basteve nëse do të hapen, të punoj dhe të bëj atë që duhet të bëjë një president. Të merret me bashkitë, që duhet të japin më tepër lekë, të merret me sponsorizimet, të organizojë, sepse ka sa të duash vend për të rregulluar, duke parë gjithë problematikat që ekzistojnë.

Cilat janë gjërat më kryesore, ato më imediate, që mendoni se duhen ndryshuar në atletikën shqiptare?

Ka shumë rëndësi që ne të punojmë me fëmijët. Është shumë e rëndësishme që ky projekti i volejbollit dhe basketbollit të shtrihet në atletikë edhe në sporte të tjera. Trajnerët kanë mbetur po ata që kam lënë unë, ku mosha mesatare është 70 vjeç, sepse me 100 mijë lekë të vjetër në muaj nuk mund të dalë njeri e të stërvitë. Pra, duhet të rrisim atë ndjeshmërinë e trajnerëve në anën financiare, duhet të rrisim kualifikimin e tyre.

Duhet të ndërtojmë një rrjet të seleksionimit të talenteve dhe t’i themi çdo mësuesi të edukimit fizik në Shqipëri që nëse gjen një talent që vlen, ne si federatë do t’u paguajmë dhe shpërblejmë. Atletika me talentet punon dhe këta talente mund të jenë në çdo cep të Shqipërisë.

Sporti në rang botëror ka treguar që mund të gjesh talente edhe në vende të humbura, por në këto vende duhen të ketë një person që t’i shikojë dhe t’i evidentojë, duke i sjellë në federatë dhe t’i konsiderojmë si kontribut që jepet për atletikën.

Mendoni që duhet rishikuar edhe statuti?

Sigurisht, duhen rregulluar gjithashtu statutet, rregulloret, duhet të merret më tepër mendimi i trajnerëve, të cilët nuk i pyet njeri. Kryesia duhet të jetë më aktive në funksionim, të funksionojë si një organizatë kolegjiale dhe jo të bëjë çfarë të thotë një person. Duhet bërë transparencë për çdo lekë që harxhohet, duhet që të merren vendime për paratë. Duhet luftuar për të gjetur para, pra ka plot gjëra për t’u bërë.

Në atletikë duhet të punosh sot që të marrësh rezultate pas 10 vjetësh. Ne e filluam në vitin 2000, duke krijuar ato ekipet e fëmijëve, të cilat i paguante federata dhe pas 15 vitesh në 2015-ën erdhën edhe rezultatet. Sigurisht sportistët elitarë duhen mbajtur, por duhet punuar patjetër me fëmijët.

Keni një koment për skandalin që e tronditi FSHA-në para pak muajsh…

Absolutisht është shumë e rëndë. Të dënohet presidenti dhe sekretari për falsifikim nuk ka gjë më të rëndë që mund t’i ndodhte atletikës. Nuk ke çfarë të shtosh. Dua të besoj që nuk ka qenë kaq e rëndë ajo që ka ndodhur, por vendimet janë vendime dhe duhet pasur parasysh impakti i tyre edhe në Shqipëri, por edhe në federatën ndërkombëtare.

Një nga pikat e programit tim është rikualifikimi i këtyre marrëdhënieve, duke krijuar një tjetër mundësi komunikimi me institucionet ndërkombëtare. Për të bërë këtë duhet patjetër që të rikuperohet ky handikap i krijuar. Kemi një dënim përfundimtar, prandaj po bëhen edhe zgjedhjet për presidentin.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"