Yll Hoxha reagon pas largimit nga Vllaznia: Padrejtësi e Cungut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2016 | 16:30

Yll Hoxha reagon pas largimit nga Vllaznia: Padrejtësi e Cungut

Ish-mesfushori kosovar i Vllaznisë, Yll Hoxha, ka folur pas largimit nga klubi shkodran. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai nuk bën polemikë me trajnerin Armando Cungu, por në “Facebook” e cilëson largimin e tij nga kuqeblutë pasojë të një padrejtësie nga tekniku.

“Është e vërtetë që kemi rënë dakord me drejtuesit e klubit, administratorin dhe drejtorin sportiv, të cilët janë treguar shumë korrektë me mua. Ndërsa nuk dua të diskutoj për punën e trajnerit. Ishte një zgjedhje e tij”, ka deklaruar mesfushori kosovar.

Yll Hoxha Vllaznia

“Duke filluar nga sot, nuk jam me një futbollist i Vllaznisë. Ka qenë një kërkese e imja për të zgjidhur kontratën me mirëkuptim, pas një mosmarrëveshjeje të trajnerit me mua. Dëshmitar të padrejtësisë së tij ndaj meje është i gjithë ekipi. Por, unë dua të falënderoj drejtuesit që u treguan korrektë, profesionistë dhe të drejtë. Gjithashtu, dua të falënderoj të gjithë tifozët e Shkodrës që më bënë të ndihem si pjesë e familjes së tyre.

Eksperienca ime zgjati pak, por ka qenë e mbushur me emocione pozitive prej tifozëve. Profesionalizmin tim e kam treguar kudo që kam luajtur. Uroj që të vërtetat dhe prapaskenat që ndodhin aty të dalin një ditë. Refuzoj të flas për problemet e trajnerit, pasi s’dua të prish atmosferën në klub. I uroj Vllaznisë sa më shumë suksese. E kam mbajtur me nder atë fanellë dhe kam dhënë maksimumin tim”, shkruan lojtari në profilin e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"