Xhovalin Trifoni: Me Bylisin nxjerrim 90-minutëshin perfekt, derbin e fiton Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2024 | 9:37

Xhovalin Trifoni: Me Bylisin nxjerrim 90-minutëshin perfekt, derbin e fiton Apolonia

Apolonia do të presë të dielën në orën 15:00 Bylisin në stadiumin “Loni Papuçiu”, në një nga duelet më të rëndësishme të kësaj jave në Kategorinë e Parë. Fierakët do të tentojnë të rikthehen te fitorja, ndonëse përballë do të kenë Bylisin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i talentuar Xhovalin Trifoni shprehet Apolonia është e përqendruar për të marrë maksimumin e pikëve.

apolonia voraa

Trifoni, si e prisni ndeshjen e radhës me Bylisin?

Situata është e njëjtë dhe detyrim janë tri pikët, si në çdo ndeshje tjetër. Jemi munduar që në çdo seancë stërvitore të japim dhe marrim maksimumin nga vetja për të qenë më shumë se gati për këtë duel të rëndësishëm. Do të futemi në fushë për të bërë një ndeshje pozitive para tifozëve tanë të zjarrtë. Shpresoj të vijnë të shumtë në numër dhe të na mbështesin sepse të gjithë bashkë ia dalim.

Sa i vështirë është ky takim me një kundërshtar, që i ka hapur Apolonisë shumë probleme në dy ndeshjet e kaluara?

Është një ndeshje shumë e vështirë, që pritet të jetë e dyluftuar në çdo cep të fushës deri në sekondën e fundit. Kjo nuk ka asnjë diskutim. Mirëpo, është edhe një nga ato ndeshje ku ne do të hyjmë në fushë duke menduar vetëm për veten tonë, për 90-minutëshin perfekt që duhet të zhvillojmë dhe jo për të kaluarën, sidoqoftë ajo. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqendruar për të shfrytëzuar çdo rast.

E shikoni këtë derbi si një mundësi të mirë për t’u rikthyer te fitorja?

Gjithë këto ditë, kemi reflektuar dhe kemi punuar fort për të përmirësuar shumëçka nga humbja e fundit. Do të mundohemi të jemi një ekip me balancë në dy fazat e lojës dhe të mbajmë performancën në nivelin që na shkon përshtat. Derbi kundër Bylisit është me shumë rëndësi për ne, pasi do të luajmë në shtëpinë tonë dhe normalisht që jemi të detyruar që të bëjmë shumë mirë për të kënaqur edhe tifozët.

A do ta arrijë Apolonia vendin e katërt në tabelë?

Jemi të përqendruar vetëm te ky takim dhe më pas të shohim si do të shkojnë gjërat. Përpara kemi katër ndeshje, në lojë janë 12 pikë, gjithçka është e hapur, kështu që do të bëjmë të pamundurën për të qenë pjesë e katër ekipeve më të mira të kampionatit.

ap by

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"