Xhoele Maçolli: Faza e tretë me surpriza, Bylisi mban ritmin kryesues deri në fund të sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2024 | 13:59

Xhoele Maçolli: Faza e tretë me surpriza, Bylisi mban ritmin kryesues deri në fund të sezonit

Bylisi po shkëlqen jo vetëm me ekipin e parë, por edhe me U-21 ku dje kanë fituar në kryeqytet ndaj Partizanit në shifrat 2-1. Në këtë takim u aktivizuan edhe shumë lojtarë të ekipit të parë që nuk kanë pasur hapësira, Ky takim u ndoq edhe nga trajneri Arian Bellai dhe stafi i tij.

xhoele macolli

Ballshiotët kanë nisur të mendojnë seriozisht për sfidën me Tomorin, ku do të kërkojnë marrjen e pikëve maksimale dhe ruajtjen e kreut. Në një prononcim për “Panorama Sport”, një nga lojtarët e spikatur të Bylisit, Xhoele Maçolli, pohon: “Barazimi me Elbasanin na kënaqi. Ne të gjithë ishim përgatitur për ta fituar me patjetër atë duel prestigji. Derisa ne jemi në këto pozita, edhe me Elbasanin e kishim si një finale të parakohshme.

Të jem realist, kampionati ka ekipe shumë të mira dhe unë veçoj Vorën apo dhe Flamurtarin, që kanë luajtur mirë. Mbrapa nuk mbeten as Burreli apo Apolonia e Lushnja në përballjet direkt që kemi luajtur. Gjithsesi, jemi aty ku duam. Jemi kryesues me meritë dhe shohim përpara. Kalendari i fazës së tretë ka surpriza dhe ne e nisim në fushën tonë, për fat e nisim me Tomorin. Nga eksperienca që kam dhe nga sa kam parë deri tani, them se në këtë fazë do të jenë ndeshjet më të vështira.

Ekipet bëjnë më të mirën e tyre, sepse tashmë janë sfida që vendosin fatet e tyre. Duke respektuar Tomorin, ne duhet të ‘përveshim mëngët’ dhe të synojmë pikët e plota që nga java e parë e fazës së tretë deri në fund të garës”. Bylisi e ka vetë në dorë fatin e këtij sezoni, të cilin me meritë e ka udhëhequr që nga java e parë.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"