Xhenoas i bie të fikët, Interi fiton sërish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2011 | 9:37

Xhenoas i bie të fikët, Interi fiton sërish

XHENOA-INTER 0-1
Goli: Nagatomo 67′
XHENOA (5-3-1-1): Frei; Mesto, Grankvist, Daineli, Kaladze, Moreti; Rosi, Velozo, Konstant (60′ Jankoviç); Merkel (75′ Karaçolo); Ze Eduardo (51′ Prato). Trajner: Alberto Malezani
INTER (4-4-2): Hulio Sezar; Zaneti, Lusio, Samuel, Nagatomo; Faraoni (46′ Alvarez), Kambiaso, Tiago Mota, Poli (69′ Obi);
Pacini, Milito (81′ Forlan).
KARTONË TË VERDHË: Kaladze 57′, Prato 73′ / Alvarez 61′

Trajner: Klaudio RanieriInteri u jep vazhdimësi rezultateve pozitive në kampionat. Pas fitores 2-0 kundër Fiorentinës, skuadra e drejtuar nga Klaudio Ranieri triumfon me rezultatin minimal, 1-0, edhe në transfertën e Xhenovas. Për të mundur kuqeblutë ka mjaftuar një gol i mbrojtësit japonez, Juto Nagatomo, në minutën e 22-të të pjesës së dytë. Gjithsesi, Xhenoa proteston tek arbitri Banti, pasi ky i fundit i anulon një gol në pozicion të dyshimtë jashtë loje Grankvist, në sekondat e para të pjesës së dytë. Por për “bilbilin” e ndeshjes nuk ka asnjë dyshim mbi vendimin e tij dhe në fund janë zikaltrit, të cilët dalin fitimtarë nga stadiumi “Marasi”. Falë tri pikëve të radhës, Nagatomo me shokë ngjitën në kuotën e 20 pikëve, duke parakaluar kështu në renditje pikërisht Xhenoan, e cila tashmë është zhytur në një krizë rezultatesh dhe trajneri Alberto Malezani rrezikon seriozisht postin e tij. Nëse deri një muaj më parë situata për formacionin e Klaudio Ranierit dukej tragjike, tani Interi mund të buzëqeshë, sepse është vetëm një pikë larg Napolit të Valter Maxarrit, duke kapur kështu trenin që mund ta ngjisë atë deri në fund të sezonit mes tre më të mirave të Serisë A, në një luftë të ashpër sportive.
Luhet vetëm 45 minuta Pjesa e parë e takimit ishte nga ato ndeshje që mund të ndihmojë këdo që ta zërë gjumi. Në 45 minutat e para, përballja u nxeh për disa sekonda vetëm nga sulmuesi Diego Milito, i cili ishte sërish i pafat, kur vetëm tre metra larg portës kundërshtare pa t’ia dërgojë topin në duar portierit Sebastian Frei. Pavarësisht se ish-gardiani zikaltër e pa veten ngushtë gjatë kësaj rrëmuje në zonë, arriti të mbajë të paprekur rezultatin e ndeshjes dhe rrjetën e tij. Por lufta e vërtetë nis në pjesën e dytë, e cila që në sekondat e para ofron emocione. Xhenoa gjen golin e avantazhit, kur mbrojtësi Grankvist sheh të mposhtë Hulio Sezarin, ndonëse për arbitrin e ndeshjes futbollisti suedez ishte në pozicion jashtë loje. Pikërisht ky episod u jep forcë djemve të Ranierit, të cilët hidhen në sulm për golin e fitores, ndonëse askush nuk e kishte menduar se atë do e shënonte më shtatshkurtri i Interit. Në minutën e 67-të, Alvarez “pikturon” një krosim fantastik në zonën e Xhenoas dhe Nagatomo arrin të godasë me kokë sferën drejt rrjetës, por nuk ka mbaruar këtu, sepse vendësit kundërpërgjigjen. Sekondat e fundit të pjesës së dytë do kishin qenë tragjike, nëse zikaltrit nuk do t’i faleshin Hulio Sezarit, i cili në dy raste brenda tre sekondash arrin t’i mohojë Rosit dhe më pas Velosos festën. Për t’u shënuar gjatë kësaj sfide ishin edhe momentet e panikut që përfshinë gjithë stadiumin. Në minutën e 81- të, arbitri Banti ndërpreu ndeshjen, pasi i riu Alberto Markiori nuk u ndje mirë në pankinë, aty ku humbi edhe ndjenjat. Për 4 minuta i gjithë stadiumi mbajti frymën, deri në përmendjen e kapitenit të skuadrës së të rinjve.

HULIO SEZAR PREMTON: NE, MES TRE TË PARAVE
Ka fluturuar me dy pritje fantastike në sekondat e fundit, duke i lejuar skuadrës së tij të fitojë tri pikët në kampionat kundër Xhenoas. Hulio Sezar është rikthyer vendimtar për Interin në këto ndeshje të fundit, ndaj duke parë që edhe klasifikimi po lëviz, portieri brazilian premton një kampionat të ri. “Është bukur kur shënon dy fitore radhazi, sepse diçka e tillë të karikon, të jep forca për të vazhduar përpara. Unë mendoj se Interi është rikthyer dhe me rikuperimin e disa të dëmtuarve do të nisim një sezon të ri. Kemi besim se mund të ngjitemi mes tre të parave, ndaj tani e tutje do fitojmë 90 për qind të ndeshjeve”.

“MUND TË ISHA NË FUSHË QË NË XHENOVA, POR…”
Uesli Shnajder po pret me padurim që të rikthehet në fushën e lojës për të ndihmuar shokët e ekipit, por ndryshe nga dëshira e tij, këtë herë kanë qenë stafi mjekësor dhe trajneri Ranieri që kanë lënë në shtëpi holandezin 27-vjeçar. “I kërkova skuadrës që të më linte të luaja që në Xhenova, por edhe në stërvitjen e djeshme ndjeva disa shqetësime në kofshë. Muskuli nuk është ende në formën e tij më të mirë, edhe pse për të ndihmuar ekipin isha gati të luaja që sot (dje). Gjithsesi, mjekët nuk duan që të nxitohem, edhe trajneri Ranieri gjithashtu, pasi kërkojnë që unë të jem në formë nga janari, për të tentuar ngjitjen drejt kreut”.

Tërbohet Preciozi “Interi ka një renditje të turpshme dhe në javët e fundit po shoh që rreth kësaj skuadre ka një ndjenjë mëshirë të dyshimtë. Për ish-kampionët e Italisë është një turp që janë katandisur në këtë mënyrë, por kurrsesi nuk mund të pranoj që neve të na anulohet një gol i rregullt për t’u bërë një nder zikaltërve”, janë fjalët e ashpra të presidentit të Xhenoas, Enriko Preciozi, pas përfundimit të ndeshjes. Ndërkohë, lidhur me çështjen Milito, ai thekson: “Diego është katandisur si Interi, të vjen gjynah ta shohësh ashtu”.

Në rast titulli, Interi të bën milioner
Kampionati italian sivjet parashikon një sfidë mes Milanit dhe Juventusit. Është ky përfundimi që kompanitë e basteve italiane theksojnë, ndërkohë që u afrohemi festave të fundvitit. Pas ndalesës së kuqezinjve në Bolonja, Milani vazhdon të mbetet favorit për fitimin e titullit me koeficient 2, por ndërkohë Juventusi është afruar dhe tani paguan 2.5 herë shumën e vënë. Ndërkohë, Lacio dhe Napoli shihen pretendentet e tjera për kampionatin, por shumë larg dy të parave me një koeficient besimi 25, ndërsa Interi mund të bëjë miliarderë bastvënësit, duke qenë se në rast suksesi do ia 44-fishojnë shumën e luajtur.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"