“Xheko-Lautaro nuk duhen prekur”, Morati: Nëse luan si ndaj Milanit, Interi ia del ndaj Sitit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2023 | 14:57

“Xheko-Lautaro nuk duhen prekur”, Morati: Nëse luan si ndaj Milanit, Interi ia del ndaj Sitit

U bënë dje 13 vite nga triumfi i Interit në finalen e Madridit që u dhuroi Champions Legaue dhe firmosi tripletën, një përvjetor që këtë herë është edhe më i veçantë duke parë që Interi pret të luajë një tjetër finale.morati inter

Për të treguar emocionet ka qenë presidenti i Interit gjatë asaj periudhe, Masimo Morati. “Mendimi im i parë është mirënjohja për Murinjon, lojtarët dhe gjithë publikun e pranishëm në Madrid që kontribuuan bashkë me ne për atë fitore”, tha ish-presidenti që në një intervistë për “FcInternews”, tregoi edhe përjetimet për atë që pritet ndaj Sitit.

Si keni jetuar duke pritur finalen?

Mbi të gjitha, ishte ndeshja më e rëndësishme e periudhës sime si president. E kam jetuar me gjithë pasionin e mundshëm që gjithçka të shkojë në mënyrën e duhur.

Sa krenari është të kesh qenë president i tripletës që vetëm Interi e ka arritur në Itali?

E kuptuam pasi e arritëm që ishte një moment historik kaq i rëndësishëm, jemi të kënaqur që ne ishim të vetmit që ia arritëm. E dimë që dikush tjetër do ta arrijë, por për momentin jemi ende një pikë referimi e rëndësishme.

Çfarë prisni nga finalja e radhës e Champions League mes Interit dhe Sitit?

Çdo gjë. Nëse Interi do të tregojë atë që tregoi në minutat e para kundër Milanit, sinqerisht do të jetë e vështirë për Mançester Sitin. Më duhet të them se pres një ndeshje të hapur.

Kë prisni në sulm kundër Fiorentinës dhe Sitit?

Xheko-Lautaro ka pasur kaq shumë suksese kohët e fundit sa nuk do t’i prekja, do t’i lija të luanin së bashku. Lukaku po rritet shumë, ai ka treguar që mund të jetë shumë i dobishëm dhe mund të jetë akoma edhe më i dobishëm nëse hyn gjatë ndeshjes.

Skalvini dhe Fratezi për një Inter italian, a jeni dakord?

Tek Interi ka një bazë të mirë italiane, siç është Barela dhe lojtarët e tjerë. Por duhet bërë kujdes kur i përgjithëson sepse të luash për Interin nuk është njësoj si të luash për një ekip provincial.

Është e vërtetë që në kohën tuaj kushtonin më shumë lojtarët italianë?

Në atë kohë ishte një treg për të cilin nuk shikoja kombësinë, thjesht doja të krijoja ekipin më të fortë nga të gjithë dhe këtu përfundonte diskutimi.

Çfarë mendoni për çështjen “Shkriniar”?

Një situatë që për sa kohë ka shkuar kështu, do të thotë se nuk kanë mundur të gjejnë marrëveshje nga të dyja palët. Nuk mund të ndërhyj.

Sa tifozllëk për Interin kundër Sitit?

Sigurisht që do të jem një nga tifozët më të mëdhenj të Interit. Shpresoj shumë që të fitojnë, do të ishte triumfi i duhur për të kujtuar forcën e Interit në botë. Për të shkuar në Stamboll ama duhet ende të vendos.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"