Vuan Pogradeci, por është i pari. Goli në frymën e fundit i jep tre pikët përballë Maliqit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2023 | 11:00

Vuan Pogradeci, por është i pari. Goli në frymën e fundit i jep tre pikët përballë Maliqit

Derbi i juglindjes mes Pogradecit dhe Maliqit u fitua minimalisht 1-0 nga liqenorët, në një ndeshje që i tejkaloi parashikimet, kjo edhe për meritë të miqve. Goli i fitores nga Paulo Ivani erdhi vetëm një minutë para fundit të lojës, pas një morie rastesh të shpërdoruara dhe goditjes së shtyllave.

pogradeci maliqi

Moment para ndeshjes Pogradeci-Maliqi

Gjithsesi, në fund rëndësi kanë tri pikët dhe pas tri javësh kampionat, skuadra e drejtuar nga Samuel Nikaj e shikon veten në vendin e parë të Grupit B me pikë të plota, duke u ndjekur nga Luftëtari dhe Butrinti, që kanë nga dy pikë më pak.

Sa i përket kronikës në ndeshjen e djeshme, që në minutën e 7-të, Alillari vendos në provë Dramollin. Pogradeci dominon dhe arrin të rrezikojë sërish me Qeleshin dhe Alillarin, por në të dyja rastet pret portieri.

Maliqi “zgjohet” pas minutës së 20-të, por nuk ka forcën e duhur për të rrezikuar seriozisht portën e liqenorëve. Shkulaku i afrohet golit pas një kombinimi me Rrapon, por pret Dramolli.

Menjëherë pas këtij aksioni është sërish Shkulaku që nga e majta jep një top në zonë për Alillarin, që godet, por portieri bën një superpritje. Pjesa e parë mbyllet 0-0 dhe me dominim total të vendësve, që nuk shënjestrojnë si duhet.

Sapo fillon e dyta, është Shkulaku që nga krahu i djathtë kroson mirë në zonë për Topllarin, por ky i fundit ndalet nga Dramolli, i cili është në një ditë fantastike. Portieri mohon gola të sigurt dhe mban në lojë Maliqin, ndërsa minutat në vijim ka edhe tension mes lojtarëve, ku fillimisht Alillari kapet me Agollin, e më pas Hysenllari me Demollarin.

Kur ndeshja po shkonte drejt një barazimi pa gola, trajneri Nikaj bën një lëvizje të zgjuar, duke kaluar mbrojtësin Ivani në qendër të sulmit. Në minutën e 89-të, pas një krosimi në zonë, ai godet me kokë dhe kalon në avantazh Pogradecin, duke ngritur peshë tifozët, që nuk po pajtoheshin me barazimin. Më pas nuk ka më histori dhe ndeshja në “Gjorgji Kyçyku” mbyllet 1-0.

54545

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"