Vrull, ndryshim loje dhe sulm nga krahët, Inzagi është fiksuar/ Si trajneri po e përgatit derbin ndaj Milanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 23:54

Vrull, ndryshim loje dhe sulm nga krahët, Inzagi është fiksuar/ Si trajneri po e përgatit derbin ndaj Milanit

Pesë pika të studiuara me detaje me stafin e tij për të vendosur në vështirësi Milanin dhe për të fituar titullin kampion në derbin e Milanos. Ky është manuali i Inzagit, me të cilin ka punuar gjatë këtyre ditëve dhe kërkon ta integrojë në mendjen e lojtarëve të tij.

inzagi

QASJA- Inzagi është duke kuruar detajet, sepse plani ishte gati. Interi di mirë se si fitohen derbit sepse ka 5 fitore radhazi ndaj Milanit. Qasja e ndeshjes është shumë e rëndësishme. Trajneri kërkon vrull dhe ritëm që në start. Nuk është rastësi që në 3 nga 5 derbet Lautaro me shumë kanë shënuar nga 1 gol në 10 minutat e para. Fillimi i ndeshjes është shumë i rëndësishëm në mendjen e trajnerit, për të befasuar kundërshtarin dhe për ta futur ekipin në shinat e duhura. Interi është skuadra që ka shënuar më shumë gola në 15 minutat e para.

PRESION- Jo vetëm nisja. Inzagi kërkon nga skuadra një ndeshje me ritëm të lartë dhe konstant. Kërkon që ta bëjë ai ndeshjen dhe jo domosdoshmërisht duke sulmuar gjithmonë, por duke bërë një presion mbi Milanin. Zikaltrit e dinë që kuqezinjtë janë skuadër me cilësi në qarkullimin e topit, por e ulin ritmin. Interi është mjeshtër i tranzicionit dhe Mkitarian është njeriu i duhur për të ndryshuar çdo lloj aksioni. Derbi është një ndeshje që të karikon dhe detyra e trajnerit është që këtë karikim ta shndërrojë në një qasje të duhur në fushë.

VËSHTIRËSITË- Është një tjetër aspekt që nuk mund të lihet mënjanë. Dhe mund të rezultojë faktor i rëndësishëm për Inzagin dhe Interin. Milani luajti dje në Europa Ligë dhe lodhja e skuadrës si në aspektin fizik dhe mental do të ndikojë.

Pikërisht agresiviteti dhe loja e fortë është një armë për zikaltrit. Trajneri i Interit po mendon edhe për zëvendësimet, për mënyrën se si do të ndryshojë ritmin e ndeshjes kur Milani të fiket. Interi është më i freskët dhe ka pasur ditë të mjaftueshme për të karikuar bateritë.

NDRYSHIM LOJE – Krahët. Kjo është zona ku Interi ka ndërmend që t’i bëjë keq Milanit. Sulm të vazhdueshëm për të mos u mbrojtur, sidomos në zonat anësore. Kjo është ideja e trajnerit të Interit dhe nuk janë rastësisht 5 fitore radhazi. Dhe sekreti është qarkullimi i lojës nga një zonë për ta shpërndarë nga ana tjetër.

Dimarko nga e majta dhe Darmian ose Dumfris nga e djathta kanë detyrë kryesore për të qenë gjithmonë në vendin e duhur. Krahu i majtë është pika më e fortë e Milanit, por edhe djathtas me Pulisiç do të kërkojë të hapin panik. Dublimi i mbrojtësve është detyrë që duhet bërë patjetër.

PA NERVOZIZËM- Një tjetër aspekt i rëndësishëm është ai psikologjik. Trajneri e ka përgatitur ndeshjen me qetësi dhe ka punuar në mendjet e lojtarëve. Nuk duhet të ketë nervozizëm. Kjo nuk është një finale, por thjesht një ndeshje e radhës dhe e rëndësishme. Interi ka ende shumë mundësi për ta fituar titullin kampion, pavarësisht se e bukura do të ishte triumfi në derbi.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"