Vorës i mjaftoi një gol ndaj Apolonisë, Arbëri: Besojmë te matematika. Mërgyshi: Ndikuan mungesat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2024 | 21:18

Vorës i mjaftoi një gol ndaj Apolonisë, Arbëri: Besojmë te matematika. Mërgyshi: Ndikuan mungesat

Vora priti Apoloninë në javën e fundit të fazës së dytë me dy mungesa të rëndësishme, ku portieri Ruçi dhe Tabaku ishin të pezulluar nga kartonët që morën në Lushnje. Gjithsesi, Vora edhe pa këto dy lojtarë ia ka dalë të fitojë, ku rezultatin e vulosi goli i Jasmin Raboshtës, një minutë para fundit të pjesës së parë.

vora1

Me fitoren 1-0 Vora arriti të ruajë vendin e tretë. Apolonia drejtohej nga trajneri Artan Mërgjyshi, që në 6 javët e para të këtij sezoni ishte timonieri i Vorës. Pjesa e parë e takimit ishte thuajse e barabartë. Diferencën e bëri vetëm goli i Raboshtës. Fierakët krijuan rastin e parë të ndeshjes, por më pas veorakët marrin iniciativën, por nuk ia dalin të shënojnë, kjo edhe për meritë të portierit Harizaj të Apolonisë, që bëri disa ndërhyrje shpëtimtare.

Gjithsesi, Raboshta tregoi veten në minutën e 44-të ku shënoi një gol të bukur dhe me peshë për Vorën. Pjesa e dytë e takimit u zotërua nga Vora edhe pse ishte e luftuar nga të dyja skuadrat, me fierakët që kërkonin golin e barazimit, por nuk mund të gjenin dot rrugën e rrjetës. Vendimtar ishte portieri Jata në këtë pjesë. Deri në fund të takimit mbeti në fuqi rezultati i minutës së 44-t, me golin e Raboshtës. Vora mori një trepikësh dhe i rikthehet fitoreve dhe mban vendin e tretë me 42 pikë, ndërsa Apolonia mbetet e pesta me 31 pikë.

Arbri: Besojmë te matematika

Klodian Arbëri, trajner i Vorës, pas ndeshjes u shpreh: “Kemi siguruar vendin e tretë pas dy fazave. Matematikisht jemi ende në vallen e ngjitjes direkt, por do t’i bëjmë hyzmetin ‘play-off’-it. Edhe pse kalendari na favorizon me 6 ndeshje brenda, ne luajmë në çdo fushë njëlloj, duke bërë të njëjtën mënyrë loje. E kam thënë dhe e përsëris, Vorën e mban ende në lojë matematika për ngjitje direkt ndaj nuk heqim dorë”.

 Mërgyshi: Ndikuan mungesat

Trajner i Apolonisë, Artan Mërgjysi, me statusin e një ish-i, pas ndeshjes tha: “E kishim vlerësuar maksimalisht takimin, por situata para nuk ishte në nivel dhe nuk shkoi në favorin tonë. Patëm shumë probleme dëmtimesh dhe mungesa që ndikuan jo pak në mbarëvajtjen e ndeshjes. Mbeta i kënaqur nga pjesa e parë, por në të dytën, skuadra ndjeu lodhje dhe siç e patë edhe stoli ishte i boshatisur dhe nuk më lejoi alternative për freskimin e skuadrës”.

Abdulla Dushku- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"