Vora ngjitet në Kategorinë e Parë, reagojnë kryebashkiaku dhe trajneri: Sukses për të gjithë tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2023 | 11:20

Vora ngjitet në Kategorinë e Parë, reagojnë kryebashkiaku dhe trajneri: Sukses për të gjithë tifozët

Vora në festë, rikthehet në Kategorinë e Parë pas vetëm një sezoni si pjesë e së Dytës. Fitorja 2-0 ndaj Naftëtarit këtë të shtunë ka vulosur ngjitjen e skuadrës së Artan Mërgjyshit tri javë para fundit të kampionatit. Diferenca prej 7 pikësh është e pakapshme nga ndjekësit e Veleçikut dhe Sopotit, paçka se do të luhen edhe tri javë. Si për ironi të fatit, rivalët e Vorës do të pushojnë një javë në ndeshjet e mbetura, pasi kështu e ka rezervuar kalendari, duke qenë se Grupi A ka 11 skuadra.

vora

Në këto kushte, parakalimi i Vorës është i pamundur dhe me të drejtë pas ndeshjes me Naftëtarin, festa shpërtheu te skuadra vorake, që tashmë do të kërkojë të mbyllë sezonin me fitimin e titullit kampion të Kategorisë së Dytë. Sipas të gjitha gjasave, në inale do të luajë me Elbasanin kryesues të Grupit B, që ende nuk e ka siguruar matematikisht vendin e parë.

Ndërkohë, sa i përket ndeshjes me Naftëtarin, loja ka qenë e zotëruar totalisht nga Vora. Përveç dy golave me protagonist Argel Avdiun dhe Jurgen Vrapin, pati edhe një penallti të humbur, si dhe dy shtylla nga vendësit me Raboshtën dhe Xhemalajn.

Sulmuesi shkodran shpërdoroi një 11-metërsh në minutën e 75-të, por meritë ka portieri i Naftëtarit, Shumeli. Kuçovarët patën tri raste gjatë ndeshjes, por nuk ditën të shënonin.

KRYEBASHKIAKU – Blerim Sherra ka uruar ekipin pas rikthimit në Kategorinë e Parë.

“Gjej rastin të falënderoj stafin drejtues, presidencën dhe në veçanti protagonistët e këtij suksesi. Ishim të qartë që në fillim, duke krijuar një skuadër për të fituar. Gjithçka u ndërtua, edhe një stadium i mrekullueshëm. Më në fund arritëm edhe në mënyrë matematikore ngjitjen, duke u shpallur kampionë të Grupit A. Me punë dhe dëshirë, ashtu siç e ka dhe slogani ynë, do të ecim vetëm përpara me ambicie më të mëdha”, ka thënë kryebashkiaku i Vorës.

TRAJNERI – Artan Mërgjyshi është i lumtur që më në fund Vora e tij ka arritur objektivin madhor.

“Përfundimisht jemi në Kategorinë e Parë dhe për këtë falënderoj djemtë. Ky ishte një sukses për të gjithë tifozët që na kanë mbështetur dhe qëndruar pranë këtë sezon. Ne kemi qenë të qartë që në fillim për këtë synim dhe ia dolëm. Ka qenë kampionat shumë i vështirë”, deklaroi trajneri për gazetën.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"