VOLEJBOLL/ Skënderbeu mbron kreun, fitojnë edhe Partizani e Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2024 | 12:20

VOLEJBOLL/ Skënderbeu mbron kreun, fitojnë edhe Partizani e Vllaznia

Superliga e volejbollit të femrave ka kompletuar të shtunën ndeshjet e javës së nëntë. Ekipet e kreut, Skënderbeu dhe Partizani, morën fitoret e radhës, teksa mundën me rezultate të pastra Pogradecin dhe Lushnjën.

hjgjh

Ndërkohë Vllaznia, e fuqizuar në merkaton e dimrit, siguroi një triumf me përmbysje ndaj Barletit në kryeqytet. Kështu korçaret e Orlando Kojës vijojnë serinë e rezultateve pozitive, teksa dhuruan një tjetër provë bindëse, këtë herë në derbin juglindor. Sfida e luajtur në “Tamara Nikolla” e shihte Skënderbeun si udhëtues në fushën e tij, me vajzat korçare që nuk falën, teksa fituan pastër 0-3. Skënderbeu e tregoi superfuqinë ndaj kundërshtareve që në setin e parë, duke fituar në shifra të jashtëzakonshme 6-25. Më tej diferencat ishin më të ngushta, me korçaret që triumfuan 21-25 dhe 18- 25. Kjo ishte fitorja e tetë në kampionat për Skënderbeun, që ruan kështu vendin e parë në renditje. Për sa i përket statistikave individuale, kapitenia Elena Bego me 14 pikë, Sara Malaj me 12 si dhe Mariangel Vivas me 10, udhëhoqën sulmin e skuadrës korçare. Ashtu sikurse pritej, gjithçka e thjeshtë edhe për Partizanin, teksa kampionet në fuqi likuiduan Lushnjën e vendit të fundit 0-3 (10-25, 18-25, 17-25) në transfertën e zhvilluar në sallën e Farkës.

Të kuqeve të trajneres Amarilda Prenga u mjaftuan 62 minuta lojë për të siguruar fitoren në një takim pa shumë histori. Lojtarja më e mirë e ndeshjes ishte Xhovana Kaçorri me 16 pikë, mbështetur nga Keisi Shira me 12. Ndërkohë sfida më interesante e javës ishte ajo ndërmjet Barletit dhe Vllaznisë në “Asllan Rusi”, takim që zgjati 2 orë e 10 minuta dhe u mbyll me suksesin e skuadrës shkodrane në shifrat 2-3. Universitaret e filluan më mirë, teksa morën setin e parë 25-22, ndërsa vajzat kuqeblu të trajneres Nora Deda reaguan në fraksionin e dytë në shifrat 17-25. Barleti u rikthye në epërsi, duke fituar setin e tretë 25-23, por më pas shkodranet realizuan përmbysjen, teksa morën dy setet e radhës 16-25 dhe 11-15, për dalë me 2 pikë nga transferta kryeqytetase.

Diferencën për Vllazninë e bënë lojtaret e afruara së fundmi në merkato, ku vlerësimin MVP e meritoi kolumbiania Manuela Sierra, autore e plot 31 pikëve, ndërsa spikati edhe braziliania Sthefany Benvinda me 22 pikë. Për Barletin nuk mjaftuan paraqitja e shkëlqyer e Xhenifer Pirës me 22 pikë si dhe 19 pikët e Esmeralda Tucit. Kujtojmë që në sfidën hapëse të javës së nëntë, Tirana mundi Teutën 1- 3 të premten në Durrës.

GFGF

A.LLESHAJ/A.ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"