VOLEJBOLL MESHKUJ/ Shkëlqen Partizani, leksion në transfertë Erzenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2023 | 13:30

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Shkëlqen Partizani, leksion në transfertë Erzenit

Partizani ka marrë një fitore të rëndësishme në Superligën e volejbollit të meshkujve, teksa dje ka mposhtur Erzenin me rezultatin e pastër 0-3 në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, takim ky i prapambetur, i vlefshëm për javën e 12-të.

partizani erzeni volley

Një ndeshje fantastike nga skuadra e Ylli Tomorrit, përballë një rivali direkt në betejën për titull. Një sukses që përveçse rrit moralin në kampin e kuq, bën që “demat” gjithashtu të ruajnë edhe vendin e parë në renditje. Partizanit i kanë mjaftuar 1 orë e 25 minuta lojë për të hipotekuar triumfin në transfertë.

NDESHJA – Seti i parë nisi me rivalitet të lartë, me të dyja skuadrat që i përgjigjeshin njëra-tjetrës thuajse pikë për pikë deri në shifrat 22-22.

Por Partizani i menaxhoi më mirë çastet e fundit, për ta fituar setin 22-25. Seti i dytë është spektakolar, teksa fillimisht vendësit luajnë më mirë, duke u shkëputur deri në +6 pikë, por kryeqytetasit reagojë shpejt, ndërsa për të përcaktuar fituesin do të duhen pikët shtesë, ku do të kemi disa shtyrje.

Por përsëri lojtarët e Partizanit tregohen më të saktë, ndërsa Andreu Flores, shënon pikën e fundit duke i dhënë fitoren 27-29 të kuqve. Në setin e tretë, Partizani futet me moral akoma më të lartë dhe duket më i sigurt në të gjitha veprimet.

Kështu miqtë e komandojnë lojën nga fillimi, ndërsa protagonist i “match point”-it bëhet Osman Qepa, i cili vulos setin 20-25 dhe të gjithë ndeshjen 0-3.

Pikërisht Qepa, së bashku me Flores, me nga 15 pikë, secili ishin më të mirët në suksesin e Partizanit.

Për Erzenin rendimentin më të lartë në sulm e kishte braziliani Soares me 14 pikë.

89

Tashmë ka mbetur edhe java e fundit e sezonit të rregullt për t’u luajtur, ndërsa Partizanin e pret një tjetër sfidë “zjarri”, siç është derbi kundër Tiranës, ndërsa Erzeni luan në fushën e tij kundër Skënderbeut.

9889

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"