VOLEJBOLL FEMRA/ Pogradeci përmbys Vllazninë, Skënderbeu “stërvitet” me Teutën. Ja rezultatet
Superliga e volejbollit të femrave ka kompl etuar të shtunën ndeshjet e javës së tretë të kampionatit. Përballja më interesante, ashtu sikurse edhe pritej, ishte ajo ndërmjet Pogradecit dhe Vllaznisë, e zhvilluar në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” në Korçë.
Skuadra pogradecare, debutuese këtë sezon në elitë, arriti që të marrë një fitore të rëndësishme ndaj një rivali direkt për zonën “play off”.
Liqenoret e drejtuara nga trajnerja Mimoza Shahu triumfuan me rezultatin 3-1 në një ndeshje që zgjati 1 orë e 50 minuta. Një sukses që erdhi me përmbysje, pasi ishte Vllaznia që e nisi më mirë ndeshjen. Shkodranet fituan setin e parë, pas një loje tepër interesante.
Kështu në fraksionin e parë vajzat kuqeblu ishin thuajse gjatë të gjithë kohës përpara, por në fund vendëset reaguan, duke bërë që seti të shkonte në pikët shtesë. Megjithatë Vllaznia u tregua më e saktë në momentet finale, ndërsa Klodeta Zhivani, më e mira për skuadrën shkodrane në këtë takim, fiksoi shifrat 26-28 me pikën e fundit direkt nga shërbimi.
Edhe në setin e dytë fillimisht janë vajzat e Nora Dedës ato që luajnë më mirë, por më pas Pogradeci komandon në çdo aspekt, për ta fituar setin në shifra të thellë 25-15, duke vendosur baraspeshën 1-1.
Të ngjashëm me setin e dytë janë edhe dy setet pasardhëse, me skuadrën liqenore që fiton respektivisht 25-18 dhe 25-16, duke vulosur suksesin e parë në kampionat. Lojtarja MVP e takimit ishte Morgan Bossler, teksa amerikania realizoi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke stampuar plot 30 për Pogradecin në këtë ndeshje.
Në sulmin e vendëseve shkëlqeu gjithashtu edhe Nensi Shahu, autore e 14 pikëve. Për Vllazninë pikëshënueset më të mira ishin Klodeta Zhivani (16), Stela Agolli (13) dhe Edna Erkoçi (10).
TEUTA-SKËNDERBEU – Ndonëse sipas kalendarit të FSHV-së rezultonte Teuta pritëse në fazën e parë, takimi u zhvillua në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” në Korçë, ndërsa vajzat e Orlando Kojës nuk e patën aspak të vështirë të merrnin 3 pikët.
Një takim, të cilin Skënderbeu e ktheu thuajse si një seancë stërvitore për shkak të diferencave të mëdha ndërmjet skuadrave. Kështu në setin e parë durrsaket realizojnë vetëm 5 pikë gjithsej, ndërsa në setin e dytë 10 dhe në të tretin 15.
Pra i gjithë takimi mbyllet në 54 minuta në favor të ekipit korçar, që me këtë sukses i bashkohet Partizanit dhe Tiranës në krye me 9 pikë, por duke u pozicionuar në vend të tretë falë diferencës më të dobët të seteve. Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes ishte lojtarja nga Venezuela, Mariangel Vivas, autore e 14 pikëve për Skënderbeun.
Në takimet e tjera të kësaj jave, të zhvilluara më 29 shtator, Partizani dhe Tirana regjistruan fitore të pastra përkatësisht ndaj Barletit dhe Lushnjës.
Për sa i përket javës së katërt në Superligën e volejbollit të femrave të premten do të luhen ndeshjet Vllaznia-Partizani (16:00) dhe Tirana-Barleti (17:00), ndërsa të shtunën Pogradeci-Teuta (13:00) dhe Skënderbeu-Lushnja (17:00).
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"