VOLEJBOLL FEMRA/ Përcaktohet finalja, Skënderbeu dhe Tirana në duelin e titullit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2024 | 11:52

VOLEJBOLL FEMRA/ Përcaktohet finalja, Skënderbeu dhe Tirana në duelin e titullit

Ashtu sikurse dy sezone më parë edhe finalja e edicionit 2023-2024 në Superligën e volejbollit për femra do të dhurojë duelin SkënderbeuTirana. Korçaret fituan edhe ndeshjen e dytë gjysmëfinale në transfertë kundër Vllaznisë, ndërsa vajzat bardhebluë triumfuan sërish në derbi ndaj Partizanit.

Tirana-Skenderbeu

Takimi i parë i ditës së djeshme ishte ai i zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” mes Vllaznisë dhe Skënderbeut. Pasi kishin fituar raundin e parë në shtëpi me rezultat të pastër, vajzat e Orlando Kojës e përfunduan punën duke marrë edhe gjysmëfinalen e dytë, këtë herë në shifrat 1-3 me përmbysje. Sfida nisi më mirë për shkodranet, të cilat befasuan, duke arritur të triumfonin bindshëm 25-17 në setin e parë. Por më pas miket u zgjuan dhe arritën të reagonin fuqishëm, duke komanduar në tri setet e radhës, për t’i fituar ato përkatësisht 19- 25, 10-25 dhe 21-25, duke i mbyllur llogaritë e ndeshjes për 1 orë e 36 minuta. Kayla Williams me 16 pikë dhe Mariangel Vivas me 15 shkëlqyen në sulmin e Skënderbeut, ndërsa për skuadrën e Nora Dedës shënuesja më e mirë ishte Stela Agolli, me 16 pikë.

Në gjysmëfinalen e dytë, Tirana regjistroi një tjetër sukses në derbi kundër Partizanit, duke i mundur të kuqet në Farkë sërish 3-1, rezultat me të cilin i kishte mposhtur edhe në përballjen e parë në “Asllan Rusi”. Ndonëse pa diferenca të mëdha në pikë, vajzat bardheblu ishin thuajse gjatë të gjithë kohës përpara në setin e parë, për ta fituar atë 25-22. Të kuqet e trajneres Amarilda Prenga ia dolën të reagonin në setin e dytë, teksa fituan 25-21, duke vendosur baraspeshën. Por më pas Tirana mori dy setet e radhës me rezultatin e njëjtë 25-20, duke prerë biletën e finaleve në një takim që zgjati 1 orë e 54 minuta. Amerikania Kamani Conteh me 21 pikë dhe kubania Yanileydis Sanchez me 17 pikë udhëhoqën ofensivën e skuadrës që drejtohet nga turku Bulent Karslioglu, ndërsa për Partizanin shënuesja më e mirë ishte Joana Kushi, autore e 16 pikëve.

nde

femr

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"