VOLEJ MESHKUJ / Tifozët kapin gjyqtarin nga këmba, Tirana thyen Erzenin dhe rikthen derbin në finalen e kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 11:02

VOLEJ MESHKUJ / Tifozët kapin gjyqtarin nga këmba, Tirana thyen Erzenin dhe rikthen derbin në finalen e kampionatit

Ashtu sikurse një vit më parë, finalja e Superligës së volejbollit të meshkujve do të dhurojë sërish derbin Tirana-Partizani. Bardheblutë kaluan mbrëmjen e djeshme Erzenin, duke fituar ndeshjen shtesë me rezultatin e pastër 0-3 në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, për ta mbyllur serinë e gjysmëfinaleve 2-1.

volej tirana erzeni

Tirana dominoi në çdo aspekt ndaj një Erzeni konfuz, që ishte një kopje e shëmtuar e skuadrës që fitoi pak ditë më parë në “Feti Borova”. Në këtë takim nuk mungoi as tensioni në radhët e tifozerisë shijakase, me skena që nuk kanë asnjë lidhje me sportin.

NDESHJA – Tirana u shfaq që në fillim më agresive dhe më e organizuar, duke e kontrolluar lojën që në setin e parë, set që u vulos nga nigeriani Oforah, i cili fiksoi shirat 15-25 për bardheblutë. Skuadra e Ilia Kojës dukej qartë që nuk ishte qetë, teksa edhe në setin e dytë nuk arriti për asnjë moment që të reagonte, ndërsa kryeqytetasit ishin zotë të parketit, duke dominuar në të gjithë komponentët e lojës, me Barutin që stampoi rezultatin 18-25 për miqtë.

Më pas gjysmëfinalja dhuroi shfaqje të shëmtuara, për shkak të irritimit të pakuptimtë të tifozerisë shijakase. Përveç ofendimeve në kor, u shkua deri në konfrontim fizik, me tifozë që madje kapën për këmbe gjyqtarin Endri Zguri. Ndeshja u ndërpre për disa minuta, ndërsa me ndërhyrjen e forcave të sigurisë si dhe të kryebashkiakut të Shijakut, Elton Arbana, tifozeria u qetësua dhe takimi rifilloi.

Gjithsesi për sa i përket lojës asgjë nuk ndryshoi, pasi skuadra e Arben Sakos vijoi dominimin absolut, duke e fituar edhe setin e tretë 12-25, për të vulosur triumfin final 0-3, teksa protagonist i “match point”- it ishte Oforah.

sasddssdsddsa

Me 14 pikë të realizuara, kapiteni i Tiranës, Ledion Martiro, ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes. Tirana siguron kështu finalen e tretë radhazi, ku do të kërkojë mbrojtjen e titullit, me serinë që do të nisë të hënën në “Asllan Rusi”, takim që sheh Partizanin si pritës. Të kuqtë eliminuan Vllazninë, duke i mundur dy herë shkodranët në gjysmëfinale.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"