VOLEJ/ Leksion vajzave universitare, Tirana tepër e fortë për Barletin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2024 | 13:15

VOLEJ/ Leksion vajzave universitare, Tirana tepër e fortë për Barletin

Tirana e volejbollit të femrave duket e transformuar në këtë pjesë të dytë të sezonit, teksa po regjistron vetëm fitore në çdo kompeticion.

SDG

Suksesi i radhës për vajzat bardheblu erdhi mbrëmjen e djeshme ndaj Barletit në takimin e vlefshëm për javën e 11-të të kampionatit. Skuadra e Hasan Gurabardhit triumfoi me rezultatin e pastër 3-0 në “Asllan Rusi”, duke koleksionuar 3 pikët e radhës në një ndeshje të dominuar. Barleti u mundua të rivalizonte në setin e parë, duke kaluar në 17-16 me pikë, por më pas doli në pah cilësia e ekipit bardheblu, me setin e parë që u mbyll 21-25. Seti i dytë nuk kishte histori, teksa Tirana shpërtheu në pikë të njëpasnjëshme duke fituar thellë 14-25.

Në setin e tretë diferencat ishin edhe më të mëdha, me bardheblutë që fituan 8-25, duke i mbyllur llogaritë e ndeshjes për 73 minuta. Enkeleda Braho me 19 pikë dhe Kamani Conteh me 15 udhëhoqën ofensivën e Tiranës në këtë takim. Për skuadrën universitare lojtarja më e mirë ishte një ish-bardheblu, Xhenifer Pira, autore e 9 pikëve, mbështetur nga Esmeralda Tuci me 8, por që ishin shumë pak për t’ua ndryshuar fatet kësaj sfide. Kujtojmë që kjo ishte ndeshja e dytë për javën e 11-të, pasi të enjten në takimin hapës Skënderbeu kryesues mundi Lushnjën 0-3 në Farkë. Java do të kompletohet sot me përballjet Teuta-Pogradeci dhe Partizani-Vllaznia.

20 21PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"