VOLEJ/ Kaloi nga Barleti te Partizani, Braho: Jam mësuar me trofetë, vij për titullin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2022 | 12:10

VOLEJ/ Kaloi nga Barleti te Partizani, Braho: Jam mësuar me trofetë, vij për titullin kampion

Volejbolli shqiptar po bëhet gradual isht gati për sezonin e ri, teksa kanë vijuar edhe lëvizjet e para në merkaton e verës. Një prej transferimeve më të bujshme deri më tani në radhët e femrave është kalimi i Enkeleda Brahos te Partizani. Pas një dekade në radhët e Barletit, si kapitene dhe një prej lojtareve më të rëndësishme, jo vetëm të ekipit të saj, por në të gjithë kampionatin, Braho zgjodhi të luajë në një tjetër ekip kryeqytetas, duke iu bashkuar të kuqeve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 30-vjeçarja rrëfen ndryshimin e fanellës dhe objektivat që ka me skuadrën e re. Braho gjithashtu ndalet edhe te situata aktuale e sportit të rrjetës, teksa prek problematikat, të cilat sipas saj nisin që nga financat, deri te mungesa e ekipeve zinxhir. Volejbollistja e Partizanit komenton edhe situatën në ekipin kombëtar, teksa thotë se i vjen keq për vajzat e reja, të cilat ende nuk e kanë shijuar ndjesinë e të qenit në kombëtare, pasi siç dihet Shqipëria mungon prej disa vitesh në aktivitetet ndërkombëtare.

enkeleda braho

Enkeleda, pas shumë vitesh te Barleti, vendosët të kaloni te Partizani. Si erdhi kjo zgjedhje?

Duket një lëvizje e çuditshme, vetëm për faktin sepse u bënë 10 vite që unë luaja për Barletin, por si në çdo fillim sezoni që ka lëvizjet e tij në merkato, edhe këtë vit vendosa të luaj për Partizanin. Sigurisht më është dashur shumë kohë ta mendoja dhe të vendosja largimin tim nga Barleti për në një klub tjetër, por oferta që më bëri Partizani ishte tunduese. Me shumë rëndësi ishte dhe objektivi i qartë që më interesoi më tepër, krijimi i një ekipi për të dalë kampion, kuptohet, kjo sigurisht mbetet për t’u parë në fushë.

Si e kanë pritur te Barleti zgjedhjen tuaj, duke qenë se ishit kapitenia dhe lojtarja kryesore e skuadrës?

Vendimin që duhet të merrja që të largohesha nga Barleti te Partizani, ma bënë më të lehtë drejtuesit e institucionit, pasi bisedova me ta, dhe mora një OK parimisht. Largimi im është si çdo largim i një lojtareje nga një klub, pavarësisht se unë kisha shumë vite aty. Barleti ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë në kampionatin shqiptar një ndër ekipet pretendente….

braho

Çfarë synoni në edicionin e ri me Partizanin?

Ky është një sezon i ri për mua, ku rikthehem në klubin Partizani pas 13 vjetësh, sepse unë kam luajtur me këtë skuadër për 3 sezone, në vitet 2006-2009. Atëherë kam qenë në një moshë shumë të re. Uroj të jetë një vit i suksesshëm.

Po objektiva personalë i vendosni vetes? Cilët janë ata?

Sigurisht, të stërvitem ashtu siç unë di, të paraqitem sa më mirë në fushën e lojës, dhe të dal kampione. Këtë ka objektiv çdo lojtare besoj, por unë realisht i dua shumë trofetë, ndoshta sepse jam mësuar duke fituar!

enkeleda braho 1

Si e konsideroni nivelin aktual të volejbollit në Shqipëri? Çfarë nuk shkon sipas jush?

Volejbolli gjithmonë ka pasur problematika në financa dhe për fat të keq vazhdon të ketë. Të gjithë ne sportistët, trajnerët dhe drejtuesit i dimë mjaft mirë problemet që ka volejbolli shqiptar. Problematika qëndron poshtë te fëmijët, pasi nuk ka ekipe zinxhir, nuk ka ekipe fëmijësh. Që të mos keqkuptohem, këtu nuk flas për ato ekipe private, pasi të tilla ka pa fund, por ato janë për interesa personale të gjithsecilit dhe jo për të nxjerrë elementë për të pasur një kampionat moshash të mirëfilltë dhe për të menduar të furnizojnë me prurje ekipet e Kategorisë Superiore.

Cili është komenti juaj për situatën në Kombëtaren e femrave, që vitet e fundit ka dalë tërësisht nga skena…

Për sa i përket ekipit kombëtar nuk kam informacion pse nuk ka pasur aktivitete, por periudhat e pushimit të zgjatura në kohë ndikojnë negativisht në performancë. Më vjen keq për vajzat, të cilat janë të reja dhe nuk e kanë shijuar ndjenjën e të qenit në ekipet kombëtare. Mendoni se trajneri italian është zgjidhja e duhur për Kombëtaren? Nuk jam aspak kundër trajnerit të huaj, por a e ndjek rregullisht kampionatin tonë, deri tek ekipet më modeste për të marrë elementët që i duhen Kombëtares…?!

braho1

ARTIN LLESHAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"