VOLEJ FEMRA/ “Para play off”-i, Tirana dhe Vllaznia e fillojnë me fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2023 | 11:25

VOLEJ FEMRA/ “Para play off”-i, Tirana dhe Vllaznia e fillojnë me fitore

Superliga e volejbollit të femrave ka zhvilluar dje dy ndeshjet e para të fazës “para play off”. Tirana dhe Vllaznia kanë marrë fitore në shtëpi, duke u afruar kështu më pranë gjysmëfinaleve të kampionatit.

tirana volej femra

TIRANA-LUSHNJA – Vajzat bardheblu kanë hedhur hapin e parë drejt kualifikimit, teksa dje mundën Lushnjën me rezultatin e pastër 3-0 në sallën “Farie Hoti” në një takim që zgjati 65 minuta.

Ndeshja startoi me tri gabime radhazi të Tiranës, të përkthyera në pikë për Lushnjën. Por vajzat e trajneres Amarlida Prenga reagojnë shpejt, për ta fituar më pas setin e parë në shifrat të thellë 25-15.

Seti i dytë ishte edhe më i bukuri i të gjithë takimit. Pas një nisjeje më të mirë të Tiranës, myzeqaret u kundërpërgjigjën më së miri, ndërsa loja shkoi me disa pikë shtesë. Xhenifer Pira dhe Latoya Hutchinson me “ace” vulosën setin 30-28 në favor të vajzave bardheblu.

Rezistenca e skuadrës që drejtohet nga Erilda Allkanjari mori fund aty, pasi në setin e tretë Tirana dominoi tërësisht, ndërsa protagoniste e “match point”-it ishte Anastasia Atepaline, e cila vulosi setin 25-11 dhe të gjithë takimin 3-0.

Me 16 pikë të shënuara, rusja Atepalina ishte shënuesja më e mirë e takimit. Për Tiranën spikatën gjithashtu edhe Hutchinson me 14 pikë, Pira me 12 dhe Shira me 10. Te Lushnja asnjë lojtare nuk preku kuotë dyshifrore pikësh.

01

VLLAZNIA-BARLETI – Një ndeshje me shumë rivalitet ishte ajo mes Vllaznisë dhe Barletit në Shkodër.

Vajzat kuqeblu arritën të triumfonin me rezultatin 3-2 në një takim që zgjati rreth 2 orë e gjysmë. Universitaret fituan setin e parë 20-25, ndërsa vendëset i kundërpërgjigjen me të njëjtin rezultat, por në favor të tyre në setin e dytë.

Barleti rimori epërsinë, teksa fitoi 21-25 në setin e tretë, por vajzat kuqeblu nuk u dorëzuan, ndërsa arritën të realizonin përmbysjen duke fituar dy setet e tjera, përkatësisht 25-21 dhe 15-5.

Ekipet do të rikthehen në parket më 2 prill për takimet e kthimit.

02

03

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"