FOTO/ Vllaznia në duart e dy Osmanëve, Shkodra ëndërron me titullin. Ja kush është sekreti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 8:50

FOTO/ Vllaznia në duart e dy Osmanëve, Shkodra ëndërron me titullin. Ja kush është sekreti

Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, vendosi të largojë trajnerin Migen Memelli në fund të muajit tetor 2023, pikërisht pas një humbje 1-0 në Kukës, në një ndeshje ku për 45-minuta kuqeblutë ishin me një lojtar më shumë.

gfdg

Në Shkodër besimi thuajse kishte humbur te skuadra, ndërsa Memelli dhe ish-drejtori sportiv, Elvis Plori, ishin vënë në qendër të kritikave, edhe pse ishte mbyllur vetëm faza e parë. Gjithsesi, ekipi nuk po bindte me rezultate dhe oshilacionet ishin të mëdha nga ndeshja në ndeshje. Faturën e morën Memelli dhe Plori, por zgjedhja që duhej bërë për të pasuar ata, ishte një “rebus” më vete në pikën më delikate të sezonit. Në një qytet që jeton me futbollin dhe ka bërë historinë në kampionatin shqiptar, duket gati e papranueshme që të kujtohet ende viti 2001 për titullin e fundit të fituar.

Xhaferit iu propozua emri i trajnerit nga Tetova, Qatip Osmani, i cili është ndër më të suksesshmit në Maqedoninë e Veriut, me tre tituj të fituar te Shkëndija e Tetovës dhe mbi të gjitha një eksperiencë të madhe, duke kaluar ture në Kupat e Europës. Por, duhej edhe një drejtor sportiv për të zëvendësuar Plorin. Si për koincidencë të mbiemrave, në treg i lirë ishte një tjetër Osman (Tefiku), që befas u largua nga Tirana dhe duhet të mendohej mirë për të vijuar karrierën në pozicionin e drejtorit sportiv në Shkodër.

Më parë kishte qenë për një periudhë të shkurtër si mbrojtës te Vllaznia, kur kjo e fundit drejtohej nga Shpëtim Duro dhe klubi administrohej nga bashkia me kryetar Lorenc Lukën. Qatip Osmani u emërua i pari si trajner dhe më pas iu bashkua Tefik Osmani në rolin e drejtorit sportiv. Situata ishte kaotike, me lojtarë të rënë moralisht dhe me pak besim në vetvete. Por, fillimi ishte malore edhe për Osmanët. 1-1 me Erzenin në Shkodër, humbje e thellë 4-1 kundër Partizanit, e më pas sërish barazim me Laçin në shtëpi. Situata nuk ishte aspak premtuese…

PIKA E KTHESËS

Duhet të vinte fundi i nëntorit që Osmanët të merrnin suksesin e parë në bashkëpunimin te Vllaznia. Kuqeblutë fitojnë në Durrës kundër Teutës dhe Ildi Gruda shënon golin e parë me fanellën kuqeblu, për t’u mos u ndalur më nga ai moment. Por, pas kësaj fitoreje, si për të shkundur edhe një herë ambientin, humbja 3-0 në Rrogozhinë kundër Egnatias riktheu pikëpyetjet. Megjithatë, dhjetori 2023 dhe janari 2024, folën vetëm për shkodranët, me pesë triumfe radhazi në kampionat. Oshilacionet po minimizoheshin dhe mbi të gjitha Vllaznia dinte të fitonte edhe duke vuajtur. Pas katër muajsh nën drejtimin e Osmanëve, e sheh veten në vendin e dytë dhe gjashtë pikë larg Egnatias kryesuese.

Një skuadër që po bind gjithnjë e më tepër dhe në Shkodër tashmë kanë të drejtë të ëndërrojnë për rikthimin e titullit pas 23 vitesh. Trajneri nga Tetova ka rikthyer qetësinë në skuadër, ndërsa po i merr maksimumin çdo futbollisti. Formacioni kuqeblu ndryshon shumë pak, ndërsa harmonia në ekip është e dukshme. Mjafton të shikosh shpërthimin e lojtarëve të stolit kuqeblu te goli i Alivodës kundër Dinamos, për të kuptuar atmosferën te Vllaznia. Natyrisht, në një realitet ku problemet me financat në klubet tona nuk përbëjnë më lajm, e sigurtë është që drejtuesit kanë lëvizur për mirë në këtë drejtim. Fitoret radhazi janë shoqëruar edhe me premio për lojtarët dhe stafin.

Vllaznia e Osmanëve po funksionon dhe trajneri po mundohet të mbajë me këmbë në tokë një grup futbollistësh që kanë provuar të fitojnë trofe në të kaluarën. Formula për ekipin që shpallet kampion me “Final 4” duket si një shans i artë për kuqeblutë, që e nisën sezonin me luhatje dhe tashmë janë plotësisht në lojë për titullin.

0

JORGIS MEMO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"